Politologu, Ermal Hasimja në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit të politikës në vend dhe dy çështjeve më të rëndësishme, urdhër-arresti për Arben Ahmetajn, dhe shkarkimi i Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm.

 

SPAK po kërkon leje për të arrestuar Arben Ahmetajn, cili është opinioni juaj mbi këto zhvillime?

 

“Kjo u mor vesh, drejt asaj rruge ishte nisur, tani çështja është se ku është Ahmetaj. Duket se në parlament nuk mund të ketë më një mbrojtje të madhe për vetë personin, zoti Ahmetaj, por patjetër që do të ketë një lloj rezistence nga ana e shumicës për të mos e përhapur përgjegjësinë në të gjithë partinë. Ajo që është interesante në këtë rast është se po të kujtojmë më përpara, atëherë kur akuzohej ish zv/ministri i Berishës për afera korruptive, opozita asokohe doli në bulevard duke kërkuar përgjegjësi politike të përgjithshme”, tha ai duke iu referuar akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës. “Nga ana tjetër ka diçka pozitive, drejtësia edhe ashtu siç është, e tronditur nga gjithë ajo reformë, ia del të bëjë diçka”, shton ai duke theksuar se duhet parë deri ku do të shkojë drejtësia.

 

Institucioni i akuzës po godet në vijmësi figura të pushtetit. Ekziston një debat se pse po ndëshkohet vetëm majtas, sa i bazuar është ky argument?

 

“S’besoj se për afera të ngjashme si ato të inceneratorëve mund të kërkohet përgjegjësia djathtas, tek opozita. Ka që në 2013-ën që kemi në pushtet PS dhe nuk shoh që të ketë ndonjë kuptim që të gërmohet tek opozita. Patjetër që mund të gërmohet te opozita për gjëra që janë bërë më përpara dhe do të ishte e dobishme që kjo gjë të bëhej, por në rendin e prioriteteve në këtë moment kuptohet që është tjetër gjë, aq më tepër që janë aferat që thjesht prishin dhe rregullojnë politikën shqiptare, por i rëndojnë dhe buxhetit të shtetit”, tha ai duke theksuar se dëmtohen taksapaguesit të cilët ende paguajnë për inceneratorët.

 

Një tjetër temë e shumëpërfolur e ditëve të fundit është shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, sa i justifikuar është?

 

“Mendoj që është vështirë ta përcaktosh sepse nuk i kemi të gjitha informacionet të zhvilluara pas dyerve të mbyllura, nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Duket se Çuçi është larguar për të shmangur një përgjegjësi më të përgjithshme, jo më të larrtë hiearkike, edhe ajo mund të jetë, por unë mendoj më të përgjithshme, për situatën e krijuar në Shqipëri. Unë mendoj se të gjitha ato akuzat, shqetësimet edhe të ndërkombëtare për lidhjet e krimit, problemeve apo të fortëve siç i quajmë në gjuhën popullore me politikën, sidomos simbioza që kanë gjatë zgjedhjeve do të ilustrohej në forma të tilla. Duhej një “kokë turku” dhe u gjet kjo “kokë turku” edhe u gjet edhe kjo “kokë turku”, tha ai duke theksuar se Çuçi duhet të kishte reaguar më herët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re