Ajo që ndodhi në AlbControll në Rinas pak vite më parë, bllokimi “sindikalist” i punës duke lënë avionët në ajër, gjë që çoi ushtrinë atyre dhe solli urgjent kontrollorë nga Greqia, është hiçgjë me atë që ka ndodhur së fundi në Areoportin Ndërkombëtar të Shkupit. Me 28 avionë në pritje për t’u ulur e gritur, në Kontrollorin ajror maqedonas ka shpërthyer grushti, gjë që mund të çonte në një hata të paprecedent ajrore.

Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, ka çuar në pranga Bekim Nezirin, ish-ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut që aktualisht është kryetar dege i BDI-së në Çair

Është pikërisht ky njeriu që ka hyrë aty, në mënyrë të paautorizuar, duke nxitur një përleshje të rëndë fizike.

Një deklaratë nga  Prokuroria Themelore në Shkup thotë se janë lëshuar urdhër për hetime ndaj tetë personave për ngjarjen e paprecedentë.

“Me veprimet e tyre ata kërcënuan sigurinë e trafikut ajror ndërkombëtar në kohën kur në hapësirën ajrore të vendit po zhvilloheshin 28 fluturime nën kontrollin e M-NAV, ndaj dyshohet se kanë kryer vepër penale të dënueshme me të paktën pesë vjet  burg”, thuhet nga Prokuroria.

Nga ana tjetër, drejtori i këtij institucioni shtetëror për kontrollimin e fluturimeve civile (M-NAV), Fahrudin Hamidi, tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit. Paraprakisht, ai tha se kreu i sindikatës ka hedhur “benzinë në zjarr” duke bërë presione me grevë dhe bllokim të hapësirës ajrore të vendit, me anulimin e konkursit të fundit për punësim, i cili është bërë shkak për të shpërthyer grushtet në M-NAV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re