Ceremonia e hedhjes së gurthemelit në impiantin e 3-të të Centralit Bërthamor Akkuyu ku nëpërmjet internetit morën pjesë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka ngjallur jehonë në shtypin rus.

Gazeta ruse Kommersant, ceremoninë e transmetuar drejtpërdrejt nga kanalet televizive ruse e dha me titullin “Putin dhe Erdoğan përurojnë ndërtimin e bllokut të tretë të centralit të parë bërthamor të Turqisë”.

Në lajm vihet në dukje se presidenti Erdoğan dha informacionin se themeli për impiantin e katërt në projekt do të hidhet vitin e ardhshëm. “Akkuyu është një prej simboleve të bashkëpunimit turko-rus. Ndërtimi i centralit është një hap strategjik për të siguruar sigurinë e furnizimit të Turqisë me energji”, thuhet në lajm.

Deklaratat e Putinit u përcollën me fjalët “Centrali Akkuyu në të njëjtën kohë do të vendoset në shërbim në vitin 2023 i cili është viti ku do të festohet 100-vjetori i Republikës së Turqisë. Kur filloi projekti, miqtë tanë turq na vendosën përpara në objektiv të tillë. Edhe i nderuari Erdoğan ka folur vazhdimisht për këtë. Për këtë arsye ne po tregojmë një rëndësi të madhe për të arritur këtë afat”.

Në gazetën ruse Izvestiya, zhvillimi është dhënë me “lavdërimin e përpjekjeve të Putinit në ndërtimin e Akkuyu nga Turqia dhe Rusia”.

Në lajmin ku transmetohen deklaratat e Putinit se “As disa vështirësi lidhur me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) nuk mundën të pengojnë punimet e Turqisë dhe Rusisë në projekt”, theksohet se centrali Akkuyu është projekti i parë i centralit bërthamor në botë në të cilin zbatohet modeli ndërto-menaxho-dorëzo.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, në lajmin e saj me titull “Putin dhe Erdoğan filluan ndërtimin e impiantit të tretë të centralit bërthamor Akkuyu në Turqi” vuri në dukje se Akkuyu ndërtohet në qytetin bregdetar mesdhetar Mersin nga Korporata Shtetërore Ruse e Energjisë Atomike (Rosatom).

Më tej thuhet se në projekt zbatohen masat e sigurisë së teknologjisë së fundit dhe se janë punësuar një numër i madh i ekspertëve turq.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re