Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, ka siguruar foto nga brenda qelisë në Burgun e Fierit ku vuan dënimin vrasësi i grave Dan Hutra, i cili në bashkëpunim me tre persona të tjerë kishte planifikuar arratisjen.

Lexo edhe :Related Posts

Siç shihet edhe në foto, shihen hekurat e prerë nga të burgosurit, të cilët po prisnin momentin e duhur për tu arratisur, por që fatmirësisht janë zbuluar në kohë nga punonjësit e burgut gjatë kontrollit të ushtruar.

Në qelinë e Dan Hutrës është gjetur një çarçaf i lidhur në formë litari si dhe mjetet e improvizuara të cilat dyshohet se janë përdorur për prerjen e hekurave të qelisë ku ndodheshin Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi janë tre bashkëpunëtorët e tij. Të tre janë të akuzuar për vjedhje të ndryshme.

Kush është Dan Hutra

Më 1 mars të viti 2023, Dan Hutra i mori jetën 3 grave dhe plagosi 3 të tjera. Mesditën e 1 marsit, Hutra  duke i dhënë një makine “Benz” të zi, me një kallashnikov dhe thikë brenda saj, është ndalur në zonën e “Astirit”.

Aty Hutra u përball me 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, shitëse në një dyqan, të cilën e plagosi me thikë dhe i mori para. Në dëshminë e saj, Gurakuqi ka deklaruar se e njihte Dan Hutrën pasi i shkonte dhe i kërkonte shpesh para.

Kësaj here ajo kishte refuzuar që t’i jepte para, e për pasojë ai e kishte plagosur me thikë. Më pas, me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra u nis drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe.

Vrasësi u fut brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe qëlloi me breshëri ndaj tyre. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.

Masakra vijoi edhe më tej

Hutra, i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.

Faji i vetëm i Etlevës ishte se ishte motra e Vladimir Kurtit, ky i fundit vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.

Vladimir Kurti në një telefonatë nga qelia, tregoi asokohe se kishte pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën.

Pas disa orësh kërkime, Hutra arriti që të vihej në pranga dhe u dërgua në burgun e Fierit, aty ku sot tentoi “të fitonte” lirinë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re