Skip to content

Helena Kadare vlerëson dhe përlotet për emisionin “Brenda Covidit” të Top Story

Shkrimtarja Helena Kadare, njëherësh bashkëshortja e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, ishte e ftuar në emisionin “Hipokrati”, në një rrëfim për jetën e saj të izoluar nga Parisi.

Shkrimtarja e dashur për publikun tregoi se si nën masa të rrepta sigurie, po e kalon kohën në Paris, në këtë periudhë pandemie, si dhe pamundësinë për të shijuar rrugicat dhe lagjet e bukura të Parisit, larg nipërve të saj.

Por në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë dhe e gjithë bota, Helena Kadare vlerësoi punën vetëmohuese të ekipit të mjekëve dhe infermierëve në spitalin “Infektiv” në Tiranë. Zonja Kadare iu referua pikërisht emisionit “Brenda Covidit” i Top Story, i cili solli në mënyrë ekskluzive pamje të pavionit infektiv dhe sakrificën e mjekëve shqiptarë të cilët përballen çdo ditë me virusin vdekjeprurës.

“Pashë një emision në Top Channel, “Brenda Covidit” (i Top Story), një emision ku tregohej një punë e jashtëzakonshme që bënin mjekët e “Infektivit”. Sapo të kem mundësi, dua të shkoj e t’i përulem atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time.”

Dokumentari “Brenda Covidit” u ndoq nga qindra mijëra shqiptarë, të cilët për herë të parë panë se çfarë ndodh brenda pavionit infektiv në QSUT, që nga trajtimi i pacientëve e deri tek vështirësit e mjekëve.