Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, tha mbrëmë, pas veprimit të Slobodan Praljak-ut, që mori helm në sallën e gjyqit kur aktgjykimi iu lexua, se kjo është hera e dytë që “substanca të ndaluara hyjnë brenda Tribunalit”.
“Hera e parë ishte rasti i Sllobodan Millosheviçit, kur ai futi brenda barna të ndaluara dhe tani ndodhi rast pak a shumë i ngjashëm përsëri”, tha Hartmann, përcjell Gazetametro.net.
“Është tronditëse kjo që ka ndodhur dhe unë nuk e di se si nuk kanë vepruar organet e sigurisë për të mos e lejuar këtë”, tha Hartmann.
Ajo tha se është e vështirë për të parandaluar vetëvrasjen nëse dikush e vendos atë, por do të duhej të pamundësohej që brenda Tribunalit të futej diçka që është e ndaluar.
“Kur isha në burg, konsulli i Francës ishte ndaluar të më jepej çokollatë. Pse rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë?!”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re