Burimi i saktë i agjentit nervor të përdorur për helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia nuk është verifikuar ende, sipas asaj që njofton kreu i Laboratorit të Mbrojtjes “Porton Down”.

Laboratori i kërkimeve shkencore, i cili e identifikoi substancën e përdorur në Salisbury si “Novichok”, bëri të ditur se me shumë gjasa, ai është shpërndarë nga një “aktor shtetëror”.

Shefi ekzekutiv i “Porton Down”-it, Gary Aitkenhead hodhi poshtë pretendimet ruse se, substanca helmuese luftarake të mund të ketë dalë nga laboratori ushtarak britanik. Gjithsesi, Moska i qëndron pretendimit se nuk ka gisht në këtë ngjarje.

“Nuk e kemi identifikuar ende burimin ekzakt, por kemi mundur t’i japim informacione shkencore qeverisë, që më pas ka përdorur edhe një sërë burimesh të tjera për të plotësuar ‘puzzle’-in e përfundimeve”, tha Aitkenhead për “Sky News”.

“Dhënia e provave shkencore mbi llojin e veçantë të këtij agjenti nervor është detyra dhe përgjegjësia jonë. Ne kemi identifikuar se ai vjen nga një familje e veçantë, është e një grade luftarake, por nuk është detyra jonë të themi se ku është prodhuar”, shtoi më tej ai.

Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u sulmuan me agjent nervor më 4 mars. Siç raporton BBC, 33-vjeçarja Yulia Skripal ka mundur të ndërgjegjësohet dhe ka nisur të flasë, duke dalë kështu nga gjendja kritike për jetën. Ndërsa spitali i Salisburyt thekson se babai i saj, 66-vjeçari Sergei vijon të mbetet në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

“Për fat të keq, kjo është një substancë tejet toksike. Deri më sot dhe me aq sa dimë ne, nuk ekziston një antidot që të mund të përdoret për të sfumuar efektet e saj”, shtoi Aitkenhead, i cili konfirmoi se ka këshilluar të gjithë ata që po merren me trajtimin e Skripalëve.

Komentet e tij vijnë vetëm një ditë përpara takimit të jashtëzakonshëm në Hagë, të Këshillit Ekzekutiv të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW). Ky takim, siç ka thënë ambasadori rus në Irlandë, Yury Filatov, është kërkuar nga qeveria ruse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re