Një numër i konsiderueshëm fëmijësh të një kopshti publik në qytetin e Gramshit u shtruan në spital me simptoma të rënda të helmimit ushqimor gjatë javës që po mbyllet.
Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Ndërsa fëmijët “luftuan” për disa ditë me ethe, të vjella dhe diarre të forta, institucionet përkatëse ,nga drejtoria e kopshtit, tek autoritetet shëndetësore dhe ato vendore kanë ofruar pak ose aspak informacion.
Transparenca është zëvendësuar nga heshtja, dhe mungesa e përgjegjësisë po shndërrohet në një shqetësim serioz publik.
Ngjarja ka ndodhur të martën, kur disa prindër raportuan se fëmijët e tyre ishin kthyer nga kopshti me temperaturë të lartë dhe shqetësime gastrointestinale. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit , ndërsa disa prej tyre u mbajtën nën kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit të theksuar.
Burime brenda spitalit për gazetarin Fatmir Popja, thonë se simptomat janë të ngjashme me helmimin nga salmonela, por analizat laboratorike të plota janë ende në proces.
Mostrat janë marrë nga ushqimi i shërbyer në kopsht, si dhe nga uji dhe ambientet e kuzhinës. Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimeve me katering për institucionin në fjalë.
Sipas dokumenteve të siguruara kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.
Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme si mishi dhe qumështi një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas incidentit. Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente për mediat, ndërsa një njoftim i shkurtër u publikua nga Bashkia e Gramshit, ku thuhej se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigja e analizave laboratorike”.
Deri më tani, nuk është bërë publik asnjë informacion zyrtar për masat e marra ndaj stafit të kuzhinës apo ndaj subjektit privat që furnizon ushqimin. Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë nisur hetimin, por burime nga brenda këtyre strukturave pohojnë se “nuk ka asnjë mekanizëm urgjent për pezullimin e menjëhershëm të kontratave me subjektet e dyshuara për ndotje ushqimore.”
“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjelluri. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje,” thotë një prind që kërkon të mbetet anonim. “Kopshti nuk na njoftoi për asgjë. As nuk e dinim se mund të ishte helmim.”
Prindërit kërkojnë përgjigje dhe ndëshkime. Shumë prej tyre janë të shqetësuar që rasti mund të mbulohet, ashtu siç ka ndodhur me incidente të tjera të ngjashme në vite, ku mungesa e hetimeve të plota ka bërë që askush të mos mbajë përgjegjësi.
Në fillim javë do protestojmë para kopshtit ku kemi fëmijët për të sensibilizuar opinion publik për rrezikun që ekziston nga mungesa e përgjegjësisë së furnizuesve me ushqim të kopshteve publikë dhe jo vetëm. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste helmimi në institucione publike për fëmijë në Shqipëri. Sipas të dhënave vetëm në vitin 2023 janë raportuar të paktën katër raste helmimesh në çerdhe dhe kopshte në Tiranë, Durrës dhe Fier – të gjitha të lidhura me mungesë kontrolli, ushqim të kontaminuar dhe kuzhina të pasigurta.
Megjithatë, në asnjë prej këtyre rasteve nuk është publikuar një raport hetimor i plotë dhe nuk është raportuar ndonjë ndëshkim i drejtpërdrejtë penal ndaj drejtuesve apo furnitorëve.