Pas helmimit të rreth 70 fëmijëve në kopshtin publik të Gramshit, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë qenë aty për të marrë mostra nga tre produkte ushqimore, me qëllim analizimin.
Sipas gazetarit Osman Stafa, inspektorët kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve për t’i analizuar në Tiranë.
Një prej prindërve, thotë se ka patur 2 vajza në kopsht dhe nga ana e strukturave drejtuese janë lajmëruar që të marrin fëmijët pasi është evidentuar një rast me Salmonelë.
“Ne kemi kërkuar që dhënia e tenderit të ushqimit të mos jetë nga Tirana, me qëllim që ushqimi të jetë i freskët. Ne nuk e dimë a duhet të kemi besim nëse nuk do të ndodhë më si ky rast”, thotë babai i dy vajzave.
Sipas tij, ditën e hënë, prindërit kanë njoftuar protestë ndaj autoriteteve përgjegjëse për ngjarjen e rëndë.
Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Burime brenda spitalit thonë se simptomat janë të ngjashme me helmimin nga salmonela.
Sipas dokumenteve kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.
Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme si mishi dhe qumështi një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas incidentit.
Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente për mediat, ndërsa një njoftim i shkurtër u publikua nga Bashkia e Gramshit, ku thuhej se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigja e analizave laboratorike”.