Njëra nga autoret e raportit, Sonja Biserko, deklaroi se nacionalizmi serb dikur drejtohej nga elita, ndërsa tani vjen nga baza, si dhe se atmosfera nuk është e favorshme për integrimin e pakicave.

Të drejtat e njeriut në Serbi janë të pakuptimta, mekanizmat që mbrojnë liritë individuale dhe kolektive në hapësirën publike nuk funksionojnë, presioni ndaj gazetarëve është rritur dhe shteti ka hequr dorë plotësisht nga ballafaqimi me të kaluarën, u tha në prezantimin e raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Sonja Biserko, një nga autoret e raportit të titulluar “Serbia: Një shoqëri e bllokuar”, deklaroi se niveli i lirive të medias, liria e fjalës, respektimi i ligjeve të medias dhe standardeve profesionale ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2012, që regjimi aktual përdori mekanizma e represionit ndaj gazetarëve, është margjinalizuar edhe ajo pjesë e sektorit civil që merret me të kaluarën, dhe regjimi ka normalizuar krimet dhe kriminelët.

Biserko deklaroi se nacionalizmi serb dikur drejtohej nga elita, tani vjen nga baza, si dhe se atmosfera nuk është e favorshme për integrimin e pakicave.

Ajo shtoi se marrëdhëniet me fqinjët karakterizohen nga një shkallë e lartë tensioni, siç janë thirrjet e shpeshta për krijimin e një “bote serbe”, dhe se për një politikë të tillë rajonale qeveria ka mbështetjen e komunitetit akademik serb, Kishës Ortodokse, medias dhe një pjesë të opozitës, si dhe që Bashkimi Evropian e toleron këtë prej 10 vitesh.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Izabela Kisiç, në prezantimin e raportit tha se “mjedisi në Serbi është ideal për aktivitetet e grupeve ekstremiste”. Sipas saj, “një nga gjeneruesit kryesorë të ekstremizmit është çështja e hapur e Kosovës që kjo qeveri nuk dëshiron ta mbyllë”.

Ajo shtoi se grupet e krahut të djathtë janë një mjet i fuqishëm për përhapjen e ndikimit rus.

Kisiç iu referua edhe dy krimeve masive në fillim të majit dhe tha se Serbisë i duhet një luftë sistematike kundër kulturës së dhunës.

Një mundësi e humbur për përparim

Jelena Krstiç nga Komiteti i Helsinkit tha se është e qartë se ka pasur një refuzim për t’u përballur me të kaluarën dhe se është humbur shansi për të bërë një përparim në periudhën kur kanë ardhur më së shumti informata nga Gjykata e Hagës.

Të paktën pesë të dënuar u kthyen gjatë asaj periudhe, por shoqëria në Serbi nuk donte të përfitonte nga fakti që disa, si Nikola Shainoviç apo Vlastimir Gjorgjeviç, pranuan një pjesë të përgjegjësisë për krimet.

“Ato deklarata kaluan pa u vënë re, nuk u diskutua për përgjegjësi dhe përkundrazi ne përqafuam të gjithë të dënuarit e Hagës sikur të ishin në anën e duhur të historisë. Për të hequr dorë nga konfrontimi, ishte e nevojshme të injoroheshin faktet gjyqësore ose të kundërshtoheshin nga qeveria dhe elita kulturore”, tha Krstiç.

Ajo kritikoi edhe sistemin arsimor, ku nuk mund të gjendet gjëkundi për konfliktin në Kosovë, përveç bombardimeve të NATO-s, si dhe përdorimit selektiv të fakteve të Hagës, si në serinë “Dossier Kosova” të RTS-së dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

“Në mendimin kombëtar serb janë tre diskurse themelore dhe ato tani po intensifikohen, përkatësisht: vetëviktimizimi, heroizimi dhe përpjekja drejt luftërave çlirimtare. Shtylla e vetëviktimizimit është Jasenovaci dhe kjo nuk është asgjë e re. Narrativa se nëse je viktimë e madhe, nuk mund të jesh kriminel e pengon reflektimin autokritik”, tha Krstiç.

Ajo theksoi se edhe në sistemin arsimor shihet tendenca që forcat e sigurisë dhe trupat paraushtarake serbe të paraqiten si forca që shfaqin heroizëm dhe janë humane ndaj civilëve, ndërsa faktet thonë të kundërtën. Gjithashtu, mësohet vetëm për luftërat mbrojtëse dhe theksohet se Serbia gjithmonë sulmohej dhe vetëm e mbronte popullin e saj.

Raporti u prezantua, siç u tha, me shpresën se mund të jetë një platformë për një debat social më të gjerë dhe të përgjegjshëm, i domosdoshëm në këtë moment vendimtar kur Serbia duhet të vendos përfundimisht nëse është në rrugën evropiane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re