Vendimi i qeverisë për të mos ndjekur rekurs të disa çështjeve në Gjykatën e Lartë, numri i të cilave mund të shkojë dhe në 5 mijë është atakuar sot në konferencën e përjavshme nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai e ka quajtur si ‘hapjen e tenderit më të madh të korrupsionit’ nga kryeministri Edi Rama dhe sekretari i tij i përgjithshëm Engjëll Agaçi nga ku do mbyllen shumë çështje me natyre civile dhe administrative të cilat sipas Berishës do të çojnë në zhvatjen e milionave të paguara nga taksapaguesit shqiptarë. Sipas tij përfituesit korruptiv do paguajnë në Apel për të mbyllur çështjen dhe më pas në kryeministri për të mos përfunduar në Gjykatën e Lartë. Ai ka akuzuar drejtpërsëdrejti dhe kreun e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushin si pjesë e planit djallëzor për të mbyllur në sirtar mijëra çështje që do u kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve.

Gjykata e Lartë po cenon rëndë procesin e rregullt ligjor, parimin e sigurisë juridike. Nuk ka shtet ligjor pa këtë parim, të gjitha vendimet pa sigurinë juridike, janë vendime thjesht në letër. Ky plan është përgatitur në bashkëpunim me Sadushin dhe don Agaçion për të shkelur të drejtat e mijëra qytetarëve që zvarriten prej vitesh në dyert e gjykatave. Qëllimi është groposja e çështjeve ku ka shteti të drejtën e pronës në mbi 50 për qind. Këto vendime për të falur mund të merren vetëm nga Kuvendi me ligje amnistie jo me vendime qeverie me qëllimin ogurzi për të vjedhur. Tre janë natyrat e çështjeve nga të cilat qeveria do të tërhiqet nga rekurset në Gjykatën e Lartë:

1. Do hiqet dorë çështje me arsye administrative, që mund të jenë dhe kontratat koncesionare, këto vazhdojnë të paguajnë në Apel dhe do sigurohen që ti paguajnë Agaçios dhe Ramës.

2. Kontratat e punës, mund të them kaq që duhet të ndëshkohen ata që i sollën shtetit dëme. Se nëse ti si titullar i ke shkaktuar miliona taksapaguesve duhet të ndëshkohesh, por sërish këtu shkelësit shpëtohen.

3. Së fundmi paditë që nuk garantojnë sukses në Gjykatën e Lartë. Kjo është e fortë, se nëse fitohet këtë e vendos don Agaçio jo gjyqtarët. Për shkak të vendimeve unifikuese dhe kjo kërkon përgjegjësi penale dhe këtu bëhet një lloj amnistie për shkelësit e rëndë të ligjeve.

Qeveria e Ramës ka hapur tenderin e madh të korrupsionit për heqjen nga rekursi të disa çështjeve që shkojnë në miliona euro pasuri në kurriz të shtetasve shqiptarë. Hap madhor në progresion gjemotrik të vjedhjes në këtë vend. U bëj thirrje punonjësve të administratës të denoncojnë çdo akt abuziv me këtë vendim“, tha Berisha.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re