Skip to content

“Heqja e komunikimit përtej bashkëjetuesve, nuk ekziston në ligjin tonë!”- Përplasje mes analistëve për masën ndaj Berishës, Gjata: Shpikje të prokurorisë

Analisti Dritan Hila, ka komentuar vendosjen në arrest shtëpiak të ish-kryeministrit Sali Berisha si dhe zhvillimet që kanë pasuar këtë ngjarje, ku Berisha ka komunikuar nga dritarja e banesës së tij më simpatizantët e mbledhur poshtë banesës.

I ftuar në “Open”, në News24, Hila u shpreh se vendimi ka kaluar shkallët e gjyqësorit dhe se Prokuroria e ka parë të nevojshme vendosjen e kësaj mase, të cilën Berisha sërish nuk e respekton.

Nga ana tjetër, për juristin Çlirim Gjata, ky kufizimi i komunikimit për Berishën nuk ekziston në ligjin tonë duke e cilësuar atë si “shpikje të prokurorisë”.

Lidhur më këtë deklaratë të Gjatës, Hila u përgjigj duke thënë se sipas tij,  kjo është pikërisht ajo që përfshin masa e “arrestit në shtëpi”, ndërsa ironizoi duke thënë se Berisha mund të bëjë edhe mbledhjet e kryesisë brenda banesës.

Pjesë nga debati:

Hila: Prokuroria e ka parë të nevojshme vendosjen e kësaj mase, të cilën Berisha prapë nuk e respekton. A është një masë e cila përshtatet me funksionin e tij për çështjen që hetohet? Nuk di të them, por është një personazh i rëndësishëm dhe aktiv.

Gjata: E kishte këtë mundësi dhe do shuante sherrin përgjithmonë. Ajo që bie në sy është heqja e komunikimit, përtej bashkëjetuesve. Kjo nuk ekziston në ligjin tonë, është shpikje e prokurorisë sonë. Përkundrazi, e kam lexuar dispozitën që kur merret dikush i pandehur gjykata mund ta pezullojë edhe nga detyrat publike, por kur merret i pandehur. Berisha nuk është i pandehur. Nuk zbatohet masa për pezullimin e detyrës së tij si deputet, e thotë dispozita ligjore.

Hila: Juve thoni futet në arrest shtëpie, por nuk mund t’i ndalen takimet. Po si qenka arrest shtëpie ky?

Gjata: Po e thotë ligji.

Hila: Po le të bëjë edhe mbledhjet e kryesisë aty pra. Edhe një kriminel kur dënohet mund të mbledhë kriminelët në shtëpi, por nuk lejohet.

Gjata: Keni 30 vite që e keni problem Berishën.

Hila: E ke shumë gabim, pa Berishën ngelim pa muhabet ne, ikën gjysma e panelit këtu.

Gjata: Mirë, fajin e ka Saliu.

“”