Kreu I qeverisë, Edi Rama ka njoftuar zhvillimin e një takimi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në një intervistë të dhënë nga SHBA, ku po merr pjesë në samitin e 74 të OKB, Rama deklaroi se në këtë takim do të diskutohet për heqjen e kufijeve mes këtyre dy vendeve.
Rama theksoi gjithashtu se ka ardhur koha që të vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë më shumë me njëra-tjetrën dhe të heqin barrierat mes tyre.
“Na është dhënë hapësira këtu që të jemi së bashku me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të treja vendeve që nuk është përjashtues për vendet e tjera. Përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkëpunojnë. Për mua ky hap ka një rëndësi të madhe nëse në bazë të kësaj marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve, heqja e kufijve për njerëzit, për mallrat, për investitorët e mëdhenj. Është e qartë që për të investuar në rajonin tonë kanë nevojë për një treg shumë më të gjerë sesa tregu i vogël i secilit vend të marrë veç e veç. Kemi një mirëkuptim, që ky është momenti për ti çuar gjerat edhe më tutje.”
Rama foli edhe për takimin formal me presidentin Trump. Ai tha se edhe pse një takim I shkurtër presidenti amerikan kishte shprehur vlerësime për ecurinë e Shqipërisë.