Deklaratat për heqjen e kufijve që u bënë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kanë ushtuar deri në Rusi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka reaguar lidhur me deklaratat për heqjen e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë thënë se veprime të tilla paraqesin kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Teza rreth domosdoshmërisë së ‘fshirjes së kufijve’ midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mos shkaktojë shqetësim. Ne do të dëshironim t’ju kujtojmë se Kosova (dhe kjo është konfirmuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) është një pjesë integrale e Serbisë dhe një interpretim i lirë i parimit të integritetit territorial kur bëhet fjalë për një vend sovran nuk mund të kuptohet ndryshe nga sa si ndërhyrje në punët e saj të brendshme”, thuhet në një deklaratë të botuar në faqen e internetit të ministrisë ruse.

Për ta, deklarata të tilla anulojnë përpjekjet që Kosova dhe Serbia ta gjejnë një zgjidhje me dialog.
“Ekziston një përshtypje e qartë se Prishtina dhe Tirana, pavarësisht nga natyra e dyshimtë dhe e rrezikshme e afrimit të tyre, vazhdojnë të shtyjnë vijën e Shqipërisë së Madhe pa marrë parasysh se çfarë fshehin planet e tyre… Veprime të tilla paraqesin një rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin e ministrisë.

Për deklaratat në mbledhjen e qeverive shqiptare, Rusia pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare,
veçanërisht nga Bashkimi Evropian.

Ditë më parë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë kishte reaguar për këtë çështje. Ata ia kanë dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçkës. Në shënim ishte shprehur protestë në lidhje me deklaratat e dhëna gjatë mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 2 tetor në Tiranë.

Serbia shprehu indinjatë ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për heqjen e kufirit me Kosovën.

“Deklarata të tilla, të cilat nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe provincës serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, janë një arsye e justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera në rajon të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhej në njoftimin e ministrisë serbe.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re