Prej 1 Qershorit, në markete dhe dyqane është i ndaluar përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshme, duke rritur kostot e tregtimit për qytetarët. Për ambientalistin Lavdosh Ferruni kjo është një nismë e vonuar, dhe duhet të pasohet nga nisma të tjera.

“Mua më duket një vendim shumë i drejtë, ndoshta pak i vonuar, kjo gjë duhet bërë patjetër, për arsye se jo vetëm mjedisi do të jetë më i paraqitshëm, por edhe për avantazhet në turizëm. Kritika më e madhe e turistëve është për ambientin jo të pastër. Jemi në një moment që qytetarët duhet ta përqafojnë këtë ide, dhe të realizojmë në mënyrë të plotë këtë.

Ndotja plastike është një shqetësim i madh për të sotmen dhe për të nesërmen. Është shqetësim i madh jo vetëm nga ana vizive, por edhe nga grimcat plastike që ndodhen së fundi dhe në ajër, dhe kalojnë në mushkëritë e njerëzve. Ky është shqetësim i madh, të eleminohet sa më shumë përdorimi i plastikës.

Për Shqipërinë, kjo është hapi i parë, të parandalohet sa më shumë kur është e mundur përdorimi i plastikës. Psh përdorimi i pjatave plastike, lugëve pastike, mund të shmangen. Nëse shkojmë në një banket, ne mund të kemi pjatë në vend të plastikës, që mund të përdoret për një kohë të gjatë. Ky lloj luksi nuk ka sens, ndotja është në shumë plane, në shëndetin e njeriut, në biodiversitet, ata që e pësojnë më shumë janë fauna detare.

Është një shqetësim i madh dhe në dekadat e ardhshme, duhet të pakësohet ajo që është e mundur, duhet aplikuar dhe ripërdorimi”, u shpreh Ferruni.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re