Heqja e megashqiponjës gjigande në hyrje të Tiranës, vënë në 100-vjetorin e Pavarësisë, është bërë shkak i një përplasjeje gjysëm politike e gjysëm estetike, mes kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha. Shqipnja u hoq për shkak se mbi të do të ketë një mbikalim, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, por Rama, në rolin e një ish-profesori të Arteve Figurative, e ka parë këtë dhe si një rehabilitim estetik të hyrjes së kryeqytetit, duke mos qenë dakort, pra estetikisht, me atë lloj vepre monumentale me theks nacional.

“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, sesa në rastin e kësaj ‘shqiponje’ në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Allan Poe-s! Më në fund”, u shpreh Rama.

Ndërsa Basha e ka parë vetëm brenda kuadrit të ngrushtë politikës së ditës.

“Kur zgjedh për simbol hashashin, shqiponja kombëtare të duket vulgaritet. Për Ramën, çfarë nuk sjell pará në xhepat e tij dhe oligarkëve, është pa vlerë, ndaj shkatërron shqiponjën e 100-vjetorit të Pavarësisë për miliona euro që i jep një kompanie fantazmë dhe nën sekuestro”, shkruan Basha.

Më herët, Rama është shfaqur kritik dhe ndaj obeliskut të “Dy Gishtave” në Kavajë, i hequr gjatë rikonstruksionit të qendrës së këtij qyteti.

Shqiponja ishte një dhuratë e familjes Destani në Tetovë, ndër më të pasurat në hapësirat shqiptare, vënë aty në nëntor të 2012-ës. Ajo shpejt u bë pikë referimi për Tiranën, siç Pallati me Shigjeta në kulmin tjetër të rrugës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re