Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit komentoi vendimin e Parlamentit për të hequr TVSH për jahtet.

Në një ndërhyrje për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Topuzi tha se jahtet janë një atraksion turistik.

Por sipas tij, vendit tonë i mungon një port jahtesh dhe e humbi një mundësi të tillë para disa vitesh.

“Industria turistike është kthyer në mënyrë jetese. Që nga viti 2007 Këshilli i Evropës ka pranuar dhe ju ka rekomanduar të gjithë vendeve të Evropës uljen e TVSH në të gjithë sektorët e turzmit dhe udhëtimeve. Kjo ka ndodhur pothuajse në të gjithë vendet e BE. Mesatarja në hotele është diku tek 7-8% dhe mesatarja e uljes së TVSH në restorante ka shkuar diku tek 10-12%. Bëhet fjalë për të zhviluar industrinë turisitke. Edhe portet e jahteve janë një atraksion i rëndësishëm, Shqipëria e humbi këtë shans vite përpara kur një nga portet më të mëdha të jahteve do të ndërtohej në vend, por përfundoi në Tivat. Ai është kthyer në portin më të madh të Mesdheut dhe është kthyer në qendrën e hotelerisë.

Zak Topuzi mori si shembull edhe Greqinë fqinje. Ai shtoi se me qëllim që Shqipëria të tërheqë më shumë turistë, duhet të ketë edhe një port jahtesh.

“Sporti i jahteve, i anijeve të thjeshta është një sport që përdoret nga të gjithë njerëzit,. Greqia e ka një nga atraksionet e familjeve mesatare. Ti mund të marrësh një jaht 6-7 metra dhe nuk ke pse e quan jaht dhe të merresh vetëm me jahtet luksoze. Është një sport interesant. Kjo i mungon Shqipërisë, deri tani nuk ka paketën e portit të jahteve.”

Me 82 vota pro Parlamenti vendosi të heqë TVSH për jahtet, një masë që i jep mundësi Shqipërisë të ketë një flotë jahtesh e të zhvillojë turizmin detar që aktualisht është pothuaj zero.

Ministri i Turizmit Blendi Klosi mbrojti parashikimet e reja ligjore duke theksuar se ky është një mekanizëm ekonomik qe synon ngritjen e një industrie të re në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re