Hera e katërt/ Veliaj e akuzon për shpifje por nuk paraqitet në gjykatë, Kalaja: Ja di hallin…

Një ditë tjetër në Gjykatën e Tiranës që shkon bosh. As këtë herë, hera e katërt rradhazi që kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj nuk paraqitet në seancë gjyqësore.

I padituri, gazetari dhe moderatori i “NgA Kalaja” në Fax News, Aulon Kalaja është paraqitur edhe këtë herë por pala paditëse ka munguar sërish.

“Kur u pyeta nga gjykatësja deklarova se unë dua që çështja të mos pushohet, por të vazhdojë sepse jam i bindur në pafajsinë time dhe për këtë dua vendim gjykate, sepse e di që Kryetari i Bashkisë Tiranë do vazhdojë me këtë strategji. Nuk tërheq asnjë deklaratë dhe do vërtetoj të kundërtën e çdo pretendimi për shpifje nga pala akuzuese”, shkruan gazetari.

Seanca e rradhës, ajo e pesta, është lënë më datë 11 dhjetor, ora 14:00.

Postimi i plotë i gazetarit:

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, nuk u paraqit as sot në gjykatë (për të katërtën herë radhazi), ku më ka paditur për shpifje, por gjykata vendosi që seanca do nisë në themel, me datë 11 dhjetor, ora 14:00.

Kur u pyeta nga gjykatësja deklarova se unë dua që çështja të mos pushohet, por të vazhdojë sepse jam i bindur në pafajsinë time dhe për këtë dua vendim gjykate, sepse e di që Kryetari i Bashkisë Tiranë do vazhdojë me këtë strategji. Nuk tërheq asnjë deklaratë dhe do vërtetoj të kundërtën e çdo pretendimi për shpifje nga pala akuzuese.

Jam i bindur që kjo është një “padi strategjike” (SLAP), me qëllim që zoti Veliaj të më mbajë lidhur, që unë të intimidohem dhe të friksohem, e kësisoj të mos flas më për të. Ka mbi 15 vjet që jam në betejë me modelin politik dhe publik që ai përfaqëson dhe do e vazhdoj këtë luftë! Si gazetar, aktivist dhe politikan, jam e kundërta e tij.

Unë e di hallin që ka ai, por nuk e ndihmoj dot. Fakti është se ai është qeli, ndërsa unë njeri i lirë.

Gazetari Aulon Kalaja është paditur për shpifje nga Erion Veliaj, pasi Kalaja u shpreh në një emision televiziv se në fillimet e tij, Veliaj vishej si femër së bashku me disa kolegë të tij në lëvizjen e asaj kohe “Mjaft” dhe iu ofronin shërbime seksuale ambasadave të huaja.