Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi dy marrëveshje të reja për të mbështetur politikën ekonomike të Kosovës.

Siç njoftoi FMN-ja, është miratuar një marrëveshje paraprake e mbështetjes (SBA), në vlerë prej 100 milionë euro dhe 78 milionë euro të tjera në kuadër të Instrumentit për Stabilitet dhe Qëndrueshmëri (RSF).

Është hera e parë që dikush në Evropë ka marrë fonde nga RSF, e cila është e dedikuar për anëtarët e FMN-së me të ardhura të ulëta.

Pas diskutimit në Bordin Ekzekutiv, marrëveshja u përshëndet nga zëvendësdrejtoresha e parë e përgjithshme e FMN-së dhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Bordit Ekzekutiv, Gita Gopinath.

“Më vjen mirë që Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi dy aranzhime të reja të Fondit për Kosovën, duke përfshirë një marrëveshje stand-by, si dhe një marrëveshje në kuadër të Instrumentit për Stabilitet dhe Qëndrueshmëri – e para në Evropë”, tha ajo.

“RSF do të mbështesë veprimet për zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike, do të përdorë sinergjitë me mbështetje të tjera zyrtare për të mbështetur përshpejtimin e investimeve private në energjinë e gjelbër.

 RSF është në harmoni me Strategjinë e re të Energjisë së Kosovës për periudhën 2023-2032, e cila është miratuar nga Kuvendi në fillim të vitit 2023”, thuhet në një deklaratë të FMN-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re