Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka paralajmëruar mazhorancën se nuk do ta lejojë të kryejë veprimtari normale, pa respektuar ato të cilat ai i quan të drejta të opozitës.

Bardhi përsëriti edhe njëherë tri kërkesat në emër të grupit opozitar, me të cilat kërkon lejimin e ngritjes së Komisioneve Hetimore, ndryshimin e përbërjes në Komisionin e Reformës Zgjedhore si dhe kërkon nga kryetarja e Kuvendit që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të PD-së.

Gazment Bardhi: Është një reagim i detyruar, i nxitur nga një sjellje e paprecedentë e mazhorancës socialiste që i ka mbyllur opozitës çdo rrugë institucionale në Kuvendin e Shqipërisë. Do duhet të respektohet e drejta kushtetuese e deputetëve të opozitës për llogaridhënie të qeverisë.

Së dyti ka të bëjë me vijimin e një detyrimi që rrjedh nga disa raporte të OSBE-ODIHR që lidhen me reformën zgjedhore. Kemi bërë propozimet tona për përbërjen e komisionit dhe mazhoranca do duhet të respektojë kërkesën e opozitës që të përfaqësohen në komisionin e posaçëm me ato kolegë deputetë që ne dëshirojmë të na përfaqësojnë.

Së treti ka të bëjë me një tallje apo ndërhyrje të vazhdueshme që kryetarja e Parlamentit bën me urdhër politik të Edi Ramës në punët e grupit parlamentar të PD. Se kush është grupi parlamentar i PD dhe si rregullohemi në organizimin tonë të brendshëm kjo s’është punë as e Edi Ramës, as e kukullës së tij, që është kthyer në një manekin dhe riprodhon porositë e Edi Ramës.

Derisa opozitës t’i respektohen të drejtat e saj, dhe mazhoranca ta harrojë që do kryejë veprimtari normale. Mund të sjellin 200-300 forca të gardës herën tjetër..

Nëse kryetarja e Kuvendit duhet të mbushë korridoret me punonjës garde për të dhunuar deputetët e opozitës do duhet të presë pasojat.

Sot nuk ka pasur asnjë vendim në konferencën e kryetarëve, ka pasur vetëm një papagall të qeverisë. Mbi 100 punonjës të Gardës kanë marrë në mbrojte 3-4 deputetë të mazhorancës.

Opozita është në të kushtet e vetëmbrojtjes. Çdo deputet i Kuvendit do të marr pjesë në veprimtarinë e çdo komisioni, deputetët do jenë në pranishëm dhe nuk do lejojnë zhvillimin normal të punë as të komisionit të ekonomisë dhe të asnjë komisioni tjetër. Mazhoranca të reflektojë dhe të respektojë të drejtat e opozitës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re