Ishte 24 marsi i vitit 2021 kur një magazinë në një qendër tregtare të Tiranës shpërtheu në flakë.

Arjani, 32 vjeçar, punonte prej afro 5 vitesh në qendër si përgjegjës i punonjësve të sigurisë. Nga kolegët njihej si person korrekt dhe i sjellshëm, një njeri i gatshëm të ndihmonte të tjerët kur ata ishin në nevojë.

Mirësia e tij e fundit erdhi pikërisht në momentet kur zjarri po përhapej. Arjan Sala vrapoi drejt flakëve dhe arriti të nxjerrë prej magazinës 25 punonjës. Vetë mbeti brenda në orvatje për të fikur zjarrin, derisa flakët e rrethuan.

Si sot një vit më parë, më 27 mars, trupi i tij i pajetë u nxorr nga rrënojat e magazinës së qendrës tregtare pas tre ditësh në luftë me flakët.

Arjan Sala ishte babai i një djali 2 vjeçar. Ndihmonte familjen e prindërit, ndërsa për të siguruar të ardhura kishte nisur punë që në moshën 18 vjeçare.

Arjani u shpall “Dëshmor i Atdheut” për aktin e tij fisnik dhe mund të quhet me të vërtetë, një Hero i Heshtur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re