Azgan Haklaj, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë, aktualisht kandidat për deputet nga Koalicioni Euroatlantik është nderuar në Tetovë në një aktivitet kushtuar heronjve të UÇK-së.

Aktiviteti solemn kushtuar “heronjve të heshtur të UÇK-së” është i pari i këtij lloji dhe u mbajt nën organizimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në këtë aktivitet morën pjesë figura të njohura të skenës politike dhe shoqërore, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë që erdhën për të nderuar sakrificën dhe veprën e atyre që dhanë gjithçka për çështjen kombëtare.

“Vlerësimi për mua është edhe vlerësim për familjen time, është vlerësim për malësinë e Gjakovës, është rivlerësim për Tahir Sinanin, gjeneral e kësaj lufte. Është rivlerësim për të parët tanë dhe testamentin që ata na lanë’ – tha Azgan Haklaj në fjalën e tij.

Mes të pranishmëve që morën fjalën Shkëlqim Hajdari i cili shtoi se, “Azgan Haklaj bëri një jetë pa asnjë ndërprerje, në mbështetje të luftës për çlirimin nga robëria të shqiptarëve në Kosovë, Preshevë, dhe Maqedoni të Veriut”. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, shprehu mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë ata që kontribuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

“Sot në Tetovë nën organizimin e SHVL të UÇK-së, u mbajt një akademi solemne kushtuar heronjve të heshtur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, atyre që pa zë, por me zemër të madhe, dhanë gjithçka për çështjen kombëtare – deri në vetëflijim”, – tha Ali Ahmeti.

“Kjo akademi, e para e këtij lloji, iu kushtua veprimtarit të shquar dhe atdhetarit të madh, Azgan Haklaj, njëri prej figurave më të ndritura që dha një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Lavdi të përjetshme heronjve të heshtur! Nderim për Azgan Haklajn dhe të gjithë bashkëveprimtarët e tij!”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko