Nga Vladimir Karaj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Genti Shala.

ONM arsyeton se hetimi i Komisionit, i cili e konfirmoi Shalën në detyrë në gusht të këtij viti, nuk është i plotë dhe se kërkohej rishikimi i dy kritereve; atij të pasurisë dhe profesionalizmit. Në rekomandim thuhet gjithashtu se ndaj Shalës kishte ardhur në datën 10 nëntor një denoncim anonim, sipas së cilit gjyqtari akuzohet se ka fshehur pasurinë.

Shala u konfirmua nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Trupa transferoi për inspektim në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë një çështje të subjektit të vitit 2017.

Por ONM ngre dyshime mbi vendimin dhe rekomandon që çështja të apelohet –duke marrë shkas edhe nga denoncimi i dy ditëve më parë.

Sipas shënimit të përfshirë në rekomandimin e ONM, denoncuesi pretendon se Shala ishte aksioner me 15 për qind në një kompani.

“E shoh të arsyeshme t’u vë në dijeni pasi pala shqiptare “nuk arriti” të verifikonte aksionet e z.Shala dhe bëhet fjalë për 15 për qind të aksioneve që disponon në këtë firmë (emri i anonimizuar). Për këtë informacion është në dijeni i gjithë qyteti i Shkodrës,” thuhet ndër të tjera në denoncim, ku janë përfshirë foto dhe ekstrakti i një kompanie nga regjistri i Qendrës Kombëtare të Biznesit.

“OMN beson se është e nevojshme të bëhet hetim shtesë për të ekzaminuar: Denoncimin anonim të paraqitur pranë OMN në 10 nëntor 2020, i cili mund të bëhet pjesë e dosjes së rivlerësimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe që Komisioneri Publik duhet t’ia sjellë në vëmendje”, thuhet në rekomandim.

Veç denoncimit, ONM kërkon rivlerësim të kriterit të pasurisë, përfshi transaksionet për një apartament të blerë në vitin 2007, analiza financiare e subjektit dhe “një kontratë huaje që sipas informacioneve nga Ministria e Drejtësisë ka një akt noterial të vitit 2015”.

Si pas ONM-së, kontrata e huasë e vitit 2015 nuk është hetuar nga Komisioni dhe nëse hetohet mund të ndryshojë të dhënat në analizën financiare. Po ashtu, vëzhguesit arsyetojnë se një sërë vlerësimesh të KPK mund të mos qëndronin në analizën e Kolegjit.

“ONM beson që aplikimi korrekt i standardeve ligjore dhe financiare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për analizën fianciare për vitet 2003-2016 dhe çështjet e lidhura me apartamentin 79 metra katrorë, mund të nxjerrin elementë që së bashku me gjetjet nga hetimi shtesë dhe analizimit të një vendimi të Gjykatës së Apelit ( i cili është referuar për masë disiplinore nga Komisioni), mund ta shtyjnë trupën e rivlerësimit që të vendosë për shkarkimin e gjyqtarit”, thuhet në rekomandim.

ONM i tërheq vëmendjen sërish Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbi referimin disiplinor të Shalës. Si në raste të ngjashme, Operacioni thotë se KPK nuk ka qenë e qartë në këtë vendimmarrje.

“Komisioni para transferimit të çështjes për disiplinë, do duhet të arrijë në përfundimin dhe identifikojë arsyet që përbëjnë shkelje disiplinore,” thuhet në rekomandim. Sipas ONM, KPK duhet të vlerësojë nëse shkeljet disiplinore cënonin apo jo besimin e publikut te drejtësia dhe vetëm pas këtij vlerësimi, të merrte vendim nëse ato duhej t’i kalonin një organi tjetër.

Në fund, ONM referon se vetëm pas shqyrtimit të këtyre elementëve mund të arrihej një përfundim mbi rastin e gjyqtarit Shala.

“Në mendimin e ONM, nuk është e mundur që të konfirmohet një subjekt në detyrë nëse ka disa çështje që së paku mund të dëmtojnë besimin e publikut nëse nuk shqyrtohen në mënyrë korrekte,” thuhet në rekomandim./ BIRN – Reporter.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re