Deputetë të Parlamentit Evropian kërkuan një hetim ndaj komisionerit të zgjerimit Oliver Varheli, duke argumentuar se ai po favorizon presidentin serb Aleksandër Vuçiç, i cili është i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.

 

Në raportin e miratuar nga Parlamenti Evropian, Eurodeputetët i kërkuan komisionit të BE-së të nisë një investigim të pavarur dhe të paanshëm për të parë nëse politika dhe sjellja e komisionerit të zgjerimit Oliver Varhelyi, është në kundërshtim me kodin e sjelljes se Komisionit dhe të BE.

 

Në raportin vjetor parlamenti shpreh shqetësimin për informacione që ngrenë dyshime se politikani hungarez përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nisur nga kjo deputetet i kërkuan Komisionit Evropian që të nisë verifikimet.

 

Grupi i ligjvënësve bëri të ditur se Varhelyi vazhdimisht relativizon sulmet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç ndaj demokracisë dhe mbështet veprimet separatiste të Milorad Dodik. Deputetët pohojnë gjithashtu se komisioneri po ndjek agjendën e Viktor Orban.

 

Roli i Komisionit Evropian sipas parlamentit, është të mbrojë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të garantojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë, e jo anasjelltas.

 

Sipas tyre, mbështetja e pozicioneve nacionaliste dhe separatiste të Dodikut jo vetëm që do të ishte kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por do të ishte lojë me zjarrin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re