Që prej janarit të këtij viti, në tregun e telefonisë celulare operojnë vetëm dy operatorë, duke nxitur shqetësim se konkurrenca po bëhet gati inekzistente. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron nisjen e një hetimi të tregut, për të parë nëse dy kompanitë dakordësohen me njëra-tjetrën në përcaktimin e çmimeve.

 

DENAR BIBA

KRYETAR I AUTORITETIT TE KONKURRENCES

 

“Sektori i telekomunikacionit është në limitet e konkurrencës. Janë vetëm dy operatorë dhe ka shqetësime të vazhdueshme, sektorët janë nën monitorim dhe në mënyrë të vazhdueshme, çdo një muaj, ne u kërkojmë atyre informacione për problematikat që shqetësojnë qytetarët. Autoriteti po mendon për nisjen e një hetimi.”

 

Edhe pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës, konkurrenca mbetet problem edhe në tregun e karburanteve, që Autoriteti i Konkurrencës e përcakton si oligopol.

 

DENAR BIBA

KRYETAR I AUTORITETIT TE KONKURRENCES

 

“Tregu i karburanteve është gjithashtu shumë problem. Tregu ka një numër aktorësh, në pjesën e tij të shumicës, një numër shumë të lartë, por relativisht pak ndërmarrje dhe fare pak që bëjnë edhe importin. Nuk jemi në kushtet e një pozite dominuese prej asnjërit prej tyre, por relativisht jemi deri diku në një oligopol. Është nën monitorim dhe ndjekim ditë pas dite çdo problematikë. Është një treg i komplikuar dhe shumë sensitiv.”

 

Në rastet kur kompanitë e hetuara konstatohen në shkelje, Autoriteti i Konkurrencës i gjobit ato. Por kjo masë duket e pamjaftueshme për të zgjidhur problemin sepse subjektet ankimojnë gjobën në gjykatë, e cila merr kohë për t’u shprehur.

 

DENAR BIBA

KRYETAR I AUTORITETIT TE KONKURRENCES

 

“Në këtë pikë mbetet relativisht pikëpyetje sesa realisht u ka dhembur gjoba sepse gjoba prandaj vihet, që të të dhembë dhe të mos e përsëritsh më. Përsa kohë që vendimmarrja gjyqësore do të zgjasë me vite, do të mbetemi në këtë situatë.”

 

Mes tregjeve problematike për konkurrencë renditet edhe ai i sigurimeve, të cilin Autoriteti i Konkurrencës e ka në vëmendje, por ende nuk flet për nisjen e një hetimi, edhe pas kërkesës së vazhdueshme edhe nga deputetët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re