Byroja Federale e Hetimit e SHBA-së (FBI) po heton nëse një grua vodhi një kompjuter portativ ose hard disk nga zyra e Kryetares së Dhomës Nancy Pelosi pas bastisjes në Kapitol më 6 janari dhe u përpoq t’ia shiste atë inteligjencës Ruse.

Një agjent i FBI-së ka zbuluar detaje të një informacioni që ka çuar në procedim penal kundër Riley June Williams, një grua nga Pensilvania e akuzuar për depërtim të paligjshëm në ndërtesën e Kapitolit dhe drejtimin e njerëzve drejt zyrës së Nancy Pelosit.

Vjedhja e pajisjeve elektronike nga ambientet e Kongresit është një shqetësim i vazhdueshëm që nga ndërhyrja e mbështetësve të Donald Trump në Kapitol.

Prokurori i Përkohshëm i SHBA, Michael Sherwin tha pas sulmit se disa hajdutë mund të kenë kërcënuar sigurinë kombëtare.

I dyshuara u zhduk

Aktakuza e ngritur në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së për Rrethin e Kolumbias thotë se FBI mori një informacion nga një person i cili u prezantua si ish-partneri i Williams.

Raporti thotë se Williams “planifikoi t’ia dërgonte laptopin një miku në Rusi, i cili më pas planifikoi t’ia shiste atë SVR, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse”.

“Dërgimi i kompjuterit në Rusi dështoi për arsye të panjohura dhe Williams ende e ka atë ose e shkatërroi atë,” shtoi deklarata, duke nxitur një hetim.

Williams duket se ka ikur nga një adresë afër Harrisburg, Pennsylvania që ajo ndau me nënën e saj, çaktivizoi një numër telefoni dhe fshiu të gjithë profilet e mediave sociale, tha FBI.

Zëdhënësi i Pelosit, Drew Hammill ende nuk ka folur.

Dy ditë pas rrethimit të Kapitolit, Hammill tha se një laptop i përdorur për prezantime ishte vjedhur nga një sallë konferencash në zyrën e Pelosit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re