Prokuroria e krimeve te renda ka shtrire verifikimet për abuzimin me tendera ne rrugën Tirane – Elbasan edhe jashtë autoritetit rrugor.
 
Mësohet se në sitë do të kalojë ish ministri i transporteve Edmond Haxhinasto por edhe ish zyrtarë të tjerë të lartë.
 
Prokuroria e krimeve të rënda konfirmoi për Vizion Plus se po shqyrtohen veprimet e ish ministrit të LSI për procedurat tenderuese apo edhe në fazën e  ndërtimit të autostradës për të cilën kontrolli i lartë i shtetit bëri kallëzim në prokurori për keqmenaxhim të projektit.
 
Organi i akuzës dyshon se ish-zyrtarët e lartë të transporteve kanë shpërdoruar detyrën apo dhe kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.
 
Për dosjen kallëzim në prokurori depozitoi dhe ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri një vit më parë.
 
Prokuroria lëshoi dy urdhër arreste për ish drejtorin e menaxhimit të projektit Aksel Qorduka dhe Albens Aliten, drejtor aktual i njësisë se menaxhimit te projektit për rrugën.
 
I njëjti urdhër-arrest u lëshua dhe për ish kreun e ARRSH-së Dashamir Xhika në një kohë që atij iu caktua masa e arrestit me burg në çështjen tjetër të abuzimeve për segmentin Elbasan-Gjinar. I pranishëm në këtë proces në Elbasan ishte dhe vetë ish ministri Haxhinasto.
 
Prokuroria e krimeve të rënda pritet të bashkojë dosjet në një kohë që abuzimet me tendera numërojnë 11 persona të arrestuar me një dëm që prokuroria e përllogarit në 54 milionë dollarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re