Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestë para Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Berisha u shpreh se e vetmja zgjidhje është që të nisin protestat para SPAK, i cili sipas tij, funksionon njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit.

“Por, këto nuk mjaftojnë. Duhet zgjidhja! Dhe zgjidhja nga vrasësit e ligjit dhe të drejtës në institucionin e akuzës nuk vjen kurrë. Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni që funksionon në mënyrë absolute njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit”, tha Berisha.

Sali Berisha: Ju e dëgjuat ekspozenë tronditëse që zoti Këlliçi bëri duke paraqitur para jush raportin e institucionit kushtetues, me detyrë kushtetuese kontrollin e përdorimit të shpenzimeve të buxhetit.

Në të gjithë dokumentet që kemi paraqitur, Erion Veliaj jo vetëm është me firmat e tij përgjegjësi numër 1 i vjedhjes dhe zhdukjes së 130 milionë eurove, por është gjithashtu korruptori më kryesor, me Edi Ramën, i institucionit të akuzës. Zoti Këlliçi tha se Kraja dhe Prençi kanë pasur frikë. Jo, nuk kanë pasur frikë zoti Këlliçi, ata janë bashkëautorë në këtë krim të shëmtuar.

Nuk kanë pasur frikë, ata kanë një ndërgjegje krimi sepse ose ata kanë marrë restin 1 ose 2 milionë euro për të bërë këtë krim të shëmtuar, për të hequr emrin e Erion Veliajt nga 110 faqe akuzë, ose ata si pjesë e organizatës kriminale me Edi Ramën, zbatojnë urdhrat e verbra të tij.

Këto janë të njohura, ne kemi faktuar çdo gjë gjë këtu. Ne kemi faktuar çdo hallkë që fakton përgjegjësinë absolutë dhe vjedhjen e 130 milionë eurove personalisht nga Erion Veliaj, Edi Rama dhe enturazhi i tyre. Cilido të jetë çmimi, ne do sjellim para jush çdo dokument të çdo vjedhje nga cilido që e bën atë.

Por, këto nuk mjaftojnë. Duhet zgjidhja! Dhe zgjidhja nga vrasësit e ligjit dhe të drejtës në institucionin e akuzës nuk vjen kurrë. Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni që funksionon në mënyrë absolute njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit.

Që ka në gjirin e vet, ish-xhelatë të diktaturës që dënonin në vitet ’90 të rinj pse shkelnin normat e moralit komunist, që shuajnë çdo ligj për të mbrojtur ata që u plaçkisin ju në mënyrë të tmerrshme.

Erion Veliaj veproi ndaj djegësit të Tiranës, njëlloj si njeriu që mbyll sytë dhe nuk sheh asgjë, duke besuar se zhdukja e parave tuaj do mbetej pa u zbuluar.

Ne e bëmë punën tonë. Ne zbuluam, ne paraqitëm çdo dokument dhe fakt dhe ai nuk kundërshton dot asgjë.

U përket ju dhe vetëm juve të thoni fjalën tuaj.

Këta nuk janë prokurorë, këta janë persekutorët tuaj, janë grabitës dhe plaçkitës të djersës dhe mundit tuaj.

Nuk mund të tallen këta me ju.

Mos harroni se një qytetar vari veten për 35 dollarë që i kishte borxh shtetit shqiptar në burgun e Lushnjes. Nuk kishte paguar tarifën e elektrikut. 22 mijë qytetarë u burgosën për tarifat e elektrikut.

Kurse këtu 130 milionë euro u zhdukën sepse Erion Veliaj i kaloi të gjitha në kontot e veta dhe të Edi Rramës, sepse ishte përgjegjësi numër 1 për mbikëqyrjen e ndërtimit të objekteve.

Edi Rama mbyll këto afera, ndërkohë mban në arrest shtëpie si armik të popullit, njeriun që në përputhje me të gjitha ligjet e vendit ka marrë 410 metër tokë të trashëguar nga familjarët e tij.

Kurse vetë Rama, nga kjo tokë, ka plaçkitur, ka grabitur, ka vjedhur me katër vendime qeverie të personalizuara njëra pas tjetrës, në shkelje flagrante të ligjit, 1500 metra tokë të kësaj familje, plus 2500 të familjeve të tjera, të lëna aty për vakëf, të lëna për shkollë në nderim të komunitetit, por edhe në një përshpirtje të paraardhësve të tyre.

Ndaj dhe është koha të zgjohemi, instrumentet dhe veglat e Edi Ramës nuk mund të tallen më me ju, me ligjin, me të drejtën, me pasuritë tuaja.

Ata të cilët u servirin ju Skapin si institucion që ka kompetenca amnistinë, ata janë për instalimin këtu të një regjimi pa opozitë, të një regjimi mafioz, të një regjimi që kërkon të zhbëjë çdo ditë Shqipërinë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re