Gjykata e Posaçme nisi dje shqyrtimin e masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë vendit për ishkryeministrin Sali Berisha, të marra ndaj tij në kuadër të hetimit mbi procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Këto masa janë konsideruar antikushtetuese nga zoti Berisha, sipas të cilit, do të duhej që më parë Prokuroria e Posaçme të kërkonte autorizim nga parlamenti. Megjithatë, ai u përfaqësua nga dy avokatë në seancën, e cila u shty për të vijuar ditën e sotme.

Gjykata e Posaçme e pati të pamundur të bëjë verifikimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” për ish-kryeministrin Sali Berisha, siç kishte planifikuar dje.

Fillimisht seanca u shty për në orën 18:00, me qëllim që avokatët të njihen me dosjen, por dy orë pas këtij momenti, dy përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit u larguan nga gjykata, duke detyruar këtë të fundit të shtyjë seancën për ditën e sotme në orën 14:30.

Avokati Genc Gjokutaj tha për mediat se kishin kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka për vendimmarrje në shkelje të detyrës për nxjerrjen e masës së sigurisë ndaj Berishës pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi.

“Për dijeninë tuaj, nga ana e Berishës është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’. Pra, si vendim ishte në shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit Procedural Penal dhe mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka”, – deklaroi avokati Genc Gjokutaj.

Gjyqtarja Irena Gjoka është gjyqtarja e çështjes ndaj Sali Berishës dhe ka firmosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij, me urdhër të SPAK. Nga ana tjetër, ishkryeministri Berisha ka refuzuar thirrjen e GJKKO-s për t’u paraqitur në ambientet e gjykatës për t’i marrë në pyetje lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Dy mbrojtësit pretenduan se kanë dorëzuar kërkesë për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka, megjithëse Gjykata e Posaçme me anë të një komunikimi zyrtar tha se në sekretari nuk ka ende një kërkesë të tillë. Por avokatët e kanë relatuar atë verbalisht në seancë. Masa e sigurisë në ngarkim të ishkryeministrit Sali Berisha e vuri gjykatën në një situatë jo të zakontë, së pari në përpjekjet për ekzekutimin e saj dhe vënien në dijeni të tij dhe tashmë në zhvillimin e seancës për marrjen në pyetje dhe verifikimin e ekzekutimit.

Kjo seancë është e detyrueshme të zhvillohet sipas ligji brenda 5 ditëve nga momenti i zbatimit i vendimit. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet nga SPAK se është përfshirë në “korrupsion pasiv” në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Për të disatën herë, edhe dje ish-kryeministri Sali Berisha këmbënguli se masat e sigurisë të vendosura ndaj tij nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë, janë sipas tij në shkelje të Kushtetutës:

“Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit”. Ai i referohet nenit 73 pika 2 të Kushtetutës, duke deklaruar se kufizimi i lirisë së deputetit në çdo lloj forme bëhet me autorizim nga parlamenti. Por neni 73 e kushtëzon këtë në rastin e heqjes së lirisë, pa përmendur termin kufizim të lirisë.

Ndërsa në orën 14:00 në Gjykatën e Posaçme nisi seanca për masat e sigurisë ndaj tij, zoti Berisha ishte në një konferencë shtypi. Dhe ndonëse kishte refuzuar të firmoste për dy ditë me radhë dokumentet e gjykatës me anë të të cilave ai vihej në dijeni për masat shtrënguese, në sallën e gjyqit ai përfaqësohej nga dy avokatë. Seanca u shty më pas për të vijuar ditën e sotme.

Ish-kryeministri dyshohet për veprën penale të “Korrupsionit”, për rastin e procedurave të privatizimit të ish-Komple ksit Sportiv “Partizani”, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër ish-pronarët e tokës, përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të dhëndrit. Zoti Berisha ka hedhur poshtë gjetjet e Prokurorisë së Posaçme, duke folur për akte të mbushura me gënjeshtra e manipulime, si dhe për një skenar me sfond të pastër politik, sipas tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re