Prokuroria pritet të zgjerojë hetimet për përvetësimin e mbi 235 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Quajtur Rana e Hedhun. Burime pranë organit të akuzës thanë se hetimet do të shtrihen dhe në zonat e tjera bregdetare të Shëngjinit, por edhe në Velipojë të Shkodrës ku dyshohet se ka pasur abuzime me titujt e pronësisë.

 

Hetimi që vuri në pranga zyrtarët lokalë të Lezhës nisi pas kallëzimeve të bëra nga pronarët , të cilët denonconin se tokat që i përkisnin ishin ndarë në parcela dhe ishin përvetësuar nga persona të tjerë. Verifikimet e Prokurorisë nxorën përvetësimin e 235 mijë m2 mijë metrave katrore toke i cili ishte bërë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës nga dhjetëra zyrtarë.

 

Njësoj si në dosjen e Spillesë, falsifikimi i parë ishte bërë duke ndryshuar zërin kadastral të tokës, nga pyjore dhe ranore që është në të vërtetë në tokë arë.

Pas kësaj toka u është dhënë në bazë të ligjit 7501, katër personave, Frrok Frrokut, Vasil e Pjetër Gjoni dhe Nikoll Tinaj, të cilët nga verifikimi i Prokurorisë rezultojnë se nuk janë fare banorë të zonës tek Rana e Hedhun, por të një njësie tjetër administrative të Lezhës dhe si të tillë nuk mund të përfitonin atë toke në bazë të ligjit 7501. Por ata ishin regjistruar si pronarë nëpërmjet falsifikimit të certifikatave të gjendjes civile.

 

Gjithashtu Prokuroria pyeti edhe disa zyrtarë lokalë firmat e të cilëve janë në dokumentet e dhënies së tokës tre familjeve Frroku, Gjoni e Tinaj, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë firmosur ndonjëherë për këto sipërfaqe toke.

Hetimet në bashkinë e Lezhës  nisën në vitin 2017 kur në prokurori u denoncuan rastet e tjetërsimit të pasurive. Pas plotësimit të dosjeve në pranga ranë 12 persona, ndër të cilët dhe kryebashkiaku Fran Frrokaj. Në kërkim janë shpallur dhe 11 persona.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re