Nga: Klodiana LALA

Bledar Jambelli nga Fieri, është njeriu i dyshuar si porositës i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila ka caktuar për të masën e arrestit me burg. Kërkimet policore për kapjen e tij deri me tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Vetëm një vit pas krimit të rëndë, që i ndërpreu në mes jetën, ish-zyrtarit të lartë të policisë, Prokuroria për Krime të Rënda mundi të hedhë dritë mbi motivet e ngjarjes.

Bledar Jambelli

Nga provat e grumbulluara përgjatë muajve, grupi i hetimit ka dalë në konkluzionin se ish-drejtori i Policisë së Vlorë, u vra për shkak të detyrës në radhët e uniformave blu.

Nga hetimet rezulton se në dhjetor të 2012, Artan Cuku e vuri në pranga fierakun Jambelli, pas dyshimeve se ishte autor i vrajses së Armando Delajt, në shtator të po të njëjtit vit.

38-vjecari i lindur në Mbrostar Ura, nuk rezultonte një emër i panjohur për policinë. Ai ishte skeduar më herët, si i përfshirë në veprimtari kriminale. Ndaj tij u caktua dhe masa e arrestit me burg për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervin Shehut dhe plagosjen e Ervis Zanajt, në nëntor të 2006. Ngjarja në fjalë, dyshohet se kishte lidhje me një vrasje të ndodhur në Spanjë, që u pasua më pas me një zinxhir krimesh të rënda që tronditën Vlorën e Tiranën.

Pavarësisht, dyshimeve që rëndonin mbi të, Bledar Jambelli ia doli mbanë të rifitonte lirinë, por mesa duket konfliktin e hapur me kryekomisarin, nuk e hodhi pas krahëve.

Sipas hetuesve, ai kontraktoi të dyshuarin Mikel Shallari, për ekzekutimin e ish-drejtorin e Policisë së Vlorës.

Hetuesit thonë se Shallarit i dha fillimisht shumën prej 3 mijë eurosh, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do t’ia bënte kur ai te kishte kryer vrasjen, të cilën e realizoi prillin e vitit të kaluar në derën e pallatit ku banonte kryekomisari në rrugën e Kosovarëve në kryeqytet.

Prokuroria është tejet e rezervuar lidhur me provat që e implikojnë Jambellinm në Krimin e Rëndë. Burime jozyrtare thonë se pendesa e Mikel Shallari hodhi dritë mbi ngjarjen. Hetimet për cështjen janë drejt fundit dhe pritet që dosja ti dorëzohet gjykatës në fund të majit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re