Kompania One Albania dyshohet se nuk ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet ligjzbatuese në kuadër të hetimeve për mashtrimet e dyshuara me call center.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Tiranës të publikuara nga News24, autoritetet shqiptare kanë kërkuar disa herë identifikimin e përdoruesve të adresave IP të dyshuara si të përfshira në aktivitet të paligjshëm. Megjithatë, kompania nuk ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara, ndryshe nga operatorë të tjerë që kanë bashkëpunuar me hetimet.
Në aktet gjyqësore theksohet se mungesa e këtyre informacioneve ka penguar seriozisht avancimin e hetimeve, duke detyruar autoritetet të kërkojnë ndihmë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Policia ka paralajmëruar gjithashtu se mosbashkëpunimi ose vonesat në dhënien e të dhënave mund të sjellin pasoja ligjore.
Nga ana e saj, kompania në një përgjigje zyrtare të datës 19 dhjetor 2024 ka argumentuar se adresat IP janë publike dhe nuk mundësojnë identifikim të drejtpërdrejtë të përdoruesve pa informacion shtesë teknik.
Paralelisht, Policia e Shtetit ka intensifikuar aksionin në terren, duke sekuestruar rreth 200 kompjuterë në disa ambiente të dyshuara si call center në Tiranë. Operacioni “Ghost Call”, i zhvilluar pas një hetimi dyvjeçar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe Europol, ka zbuluar 12 qendra të përfshira në veprimtari të dyshuara kriminale.
