Gjuetari që ra në rrjetë
Skyweb.al mëson me marrjen e shkresës nga SICRED, Komisioni i Konkurrencës vendosi të zgjerojë hetimin në të gjithë sistemin bankar, përfshirë edhe Bankën Credins. Kontrolli mbi dokumentacionin e kësaj banke zbuloi se edhe vetë ajo, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me SICRED, aplikonte të njëjtat praktika të mbylljes së tregut që kishte akuzuar për bankat e tjera.
Në thelb, Banka Credins i ofronte klientëve të saj vetëm një opsion për sigurimin e jetës: kompaninë që ajo vetë zotëron,SICRED. Faturat e sigurimit u dërgohen klientëve si detyrim i kryer, pa të drejtë për të zgjedhur ofertuesin më të leverdishëm në treg.
Kështu, paratë kalonin nga një xhep i bankës në tjetrin, duke i garantuar fitime të dyfishta aksionerëve, ndërsa klientët paguanin më shumë në një treg ku konkurrenca ishte vetëm në letër.
Sipas nenit 4 dhe 9 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, çdo marrëveshje ose praktikë që kufizon zgjedhjen e lirë të konsumatorit apo vendos kushte të pabarabarta për ofruesit e shërbimeve është e ndaluar. Pikërisht mbi këtë bazë ligjore po ndërtohet hetimi i Komisionit të Konkurrencës, i cili tashmë po shqyrton përfitimet milionëshe që bankat kanë realizuar nga shitja e detyruar e policave të sigurimit.
Skyweb.al ka mësuar se vetëm nga këto skema, sistemi bankar siguron mbi 4 deri në 5 milionë euro fitim në vit, në kurriz të klientëve që marrin kryesisht kredi për banesa. Nga ana tjetër, tregu i sigurimeve tregon një nivel shumë të ulët të dëmshpërblimeve, çka hedh hije të rënda mbi integritetin e shërbimit të ofruar.
Jo vetëm shkelje e konkurrencës…
Hetimi vijon dhe pritet që Komisioni i Konkurrencës të dalë me një përfundim pas disa muajsh, siç ka treguar praktika e deritanishme e hetimeve të ngjashme, ndërkohë që sa i përket shembullit të mësipërm, problemi me abuzimin me pozitën dominuese në treg, për të cilën po hetohet Credins duket të jetë problemi më i vogël.
Kjo, pasi në një ekonomi ku gëlon informaliteti dhe pastrimi i parave dhe pas sinjalizimeve të forta edhe nga vetë Departamenti i Shtetit si edhe agjencitë e inteligjencës, një “bastisje” edhe nga Njësia e Inteligjencës Financiare pas Komisionit të Konkurrencës do të sistemonte punët edhe me ndonjë apo disa aksionerë hije mes dhjetëra të tjerëve që ka kjo bankë.
Abuzimi me klientët kredimarrës
Hetimet paraprake tregojnë se kjo praktikë abuzuese me policat e sigurimit është e përhapur në shumicën e bankave të vendit. Kur kredia është hipotekore, banka rinovon automatikisht policën e sigurimit të jetës çdo vit dhe ia faturon klientit, pa asnjë konsultim ose të drejtë zgjedhjeje.
Ky është thelbi i problemit: klienti nuk vepron si konsumator i lirë, por si pagues i detyruar i një shërbimi që nuk e ka përzgjedhur vetë.Komisioni i Konkurrencës është ende në fazën e mbledhjes së të dhënave. Vendimi përfundimtar pritet të dalë pas disa muajsh.
Por nëse praktika do të shpallet shkelje e ligjit, pasojat për bankat, përfshirë Bankën Credins dhe SICRED, do të jenë serioze, si nga pikëpamja financiare ashtu edhe nga ajo reputacionale.
Një gjë është e qartë: kur ndërton një kurth për të tjerët në një treg të çrregulluar, mund të jesh i pari që bie brenda. Dhe ky është rasti më tipik./skyweb.al