Autoritetet holandeze kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me prokurorët italianë në një hetim mbi praktikat e diskutueshme tatimore të platformës dixhitale të marrjes me qira të akomodimit Booking.

Italianët nisën një hetim kundër Booking, me qendër në Holandë, në vitin 2018 për të përcaktuar se si rregullon taksimin e shërbimeve të akomodimit të rezervuara përmes faqes së saj të internetit.

Në qershor të vitit të kaluar, policia tatimore e Italisë, Guardia di Finanza, pretendoi se Booking nuk kishte paguar 153 milionë euro tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) nga viti 2013 deri në vitin 2019.

“Financierët” besojnë se Booking ka dëmtuar grupet e tjera të hoteleve duke mos mbledhur taksa.

Nga ana tjetër kompania pretendon se TVSH-ja duhet të mblidhet nga pronarët e hoteleve dhe bujtinave.

Gjykatësit holandezë tani më në fund kanë pranuar një urdhër hetimi evropian të dërguar atyre nga Italia në mënyrë që prokurorët të mund të përfundojnë hetimin dhe një burim i informuar pretendon se masa mund të luajë një rol vendimtar në procedim.

Italianët dërguan urdhrin e parë në gusht 2018, por prokurorët holandezë e refuzuan atë në maj 2019. Një kërkesë e dytë u dërgua në gusht 2019 dhe rezultoi në një takim muajin e kaluar.

Ekzaminimi i ish-drejtorit financiar

Takimi prodhoi zbulimin, pretendon burimi, dhe u ndoq nga prokurorja e Roterdamit, Cornelia Becker, zyrtarë nga policia holandeze e taksave dhe agjencia e të ardhurave, dhe zëvendësprokurori publik i Genovas, Francesco Pinto dhe kolegu i tij Giancarlo Vona, si krerët e hetimit.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit holandez konfirmoi marrëveshjen për bashkëpunim dhe Booking njoftoi se bashkëpunon me zyrtarë në të dy vendet anëtare të BE-së.

“Ne vazhdojmë diskutimet dhe bashkëpunimin me autoritetet tatimore në Itali dhe në Holandë,” tha një zëdhënës i Booking për Reuters.

Italianët kërkuan hetimin e shefave financiar të Booking nga viti 2013 deri në 2019, Olivier Bisserier dhe Marcela Martin, e cila mbajti postin nga 2019 deri në 2020.

Bisserier nuk pranoi të komentojë mbi rastin. Martin nuk iu përgjigj mesazheve të dërguara me e-mail të Reuters që kërkonin koment.

Prokurorët holandezë dhe italianë planifikojnë të takohen sërish në janar të vitit të ardhshëm për të shkëmbyer informacione dhe për të marrë në pyetje bashkërisht dy ish-menaxherët në Holandë, shtoi burimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re