Ndotja e ujërave në Bulqizë si pasojë e hedhjes së inerteve nga komapnitë e përpunimit të kromit, vijon të mbetet një problem. Si pasojë e hedhjes së inerteve në përrua nga një prej firmave që përpunon kromin, është arrestuar administratori i kësaj firme. 60 vjeçari Bashkim Lala, banues në Burrel ka rënë në prangat e policisë si një prej përgjegjësve kryesorë të kësaj ndotje.

Njoftimi i Plotë:

DVP Dibër

Vijon zbatimi i masave për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Vihet në pranga Administratori i një fabrike kromi për “Ndotje të ujërave”, në Martanesh të Bulqizës.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndotja e ujërave” shtetasin Bashkim Lala, 60 vjeç, banues në Burrel, pasi gjatë përpunimit të kromit në firmën që ai administron në zonën e re në Batër, Martanesh, është konstatuar se derdhjen e ujërave të ndotura dhe inerteve të mbetura nga procesi i përpunimit të kromit i hidhte në përroin e Batrës në Martanesh, duke shkaktuar ndotjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajërit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

DVP Dibër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re