Ministrat e Jashtëm gjermanë dhe turq Heiko Maas dhe Mevlut Çavusoglu u takuan të hënën në Ankara për të përmirësuar marrëdhëniet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian, ndërsa bisedimet teknike midis delegacioneve ushtarake turke dhe greke filluan në selinë e NATO-s në Bruksel.

Pas takimit me homologun gjerman, Cavusoglu tha se ditët e fundit ka pasur një atmosferë më pozitive në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë, pas një viti të trazuar siç ishte 2020 mes tyre.

Turqia dhe Greqia gati sa shkuan në luftë verën e kaluar mbi një mosmarrëveshje mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e energjisë në Mesdheun lindor. U përfol se Gjermania, a më saktë vetë Kancelarja Merkel, ndërhyri që kjo të mos ndodhte.

Javën e kaluar, të dy vendet njoftuan rinisjen e bisedimeve mbi kërkimin për gaz në Mesdhe dhe thanë se një takim i zyrtarëve të lartë, duke përfshirë presidentin turk dhe kryeministrin grek, mund të ndodhte. Mes tyre, siç dihet, me pëlqimin e dy palëve, është futur si ndërmjetësues kryeminsitri Rama, i njohur për miqësinë e thellë me presidentin turk, si dhe me ministrin e Jashtëm grek Dendias.

Ministria e mbrojtjes e Turqisë tha se bisedimet teknike me homologët grekë u mbajtën të hënën në selinë e NATO-s.

“Me njoftimin e bisedimeve të drejtpërdrejta, dritarja për një zgjidhje diplomatike që është mbyllur që nga viti 2016 është rihapur,” tha Maas.

“Unë mendoj se të gjithë pjesëmarrësit janë të vetëdijshëm se ky proces nuk do të jetë i lehtë, por unë jam i bindur që nëse të dy palët u qasen këtyre negociatave me qëllime serioze dhe pragmatizmin e nevojshëm, përfundimisht do të gjenden zgjidhje politike.”

Mosmarrëveshjet janë “shumë komplekse, por jo të pazgjidhura”, shtoi Maas.

Çavusoglu këmbënguli se Turqia ishte gjithmonë e gatshme të fliste me Greqinë pa ndonjë parakusht, por ai gjithashtu deklaroi se Athina mund të përpiqej të provokonte Ankaranë duke provokuar që ajo të përgjigjej dhe më pas të kërkonte nga BE të vendoste sanksione ndaj saj.

“Ne duam të vazhdojmë me këtë atmosferë pozitive, por fatkeqësisht Greqia vazhdon të provokojë edhe në këtë periudhë,” tha Çavusoglu duke iu referuar përpjekjeve për stërvitje ushtarake në ishujt e çmilitarizuar.

“Ne nuk jemi një vend që kemi frikë nga sanksionet, por nuk duam të vazhdojmë me këtë axhendë negative,” tha Cavusoglu.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se ai mirëpriti rinisjen e bisedimeve, duke thënë se ai po mbështetej në ligjin ndërkombëtar dhe aftësitë mbrojtëse greke.

Në dhjetor, Bashkimi Evropian dha dritën e gjelbër për sanksionet ndaj individëve mbi eksplorimin turk të rezervave të gazit në ujërat e pretenduara nga Greqia dhe Qipro.

Megjithëse Ankaraja ka thënë në mënyrë të përsëritur sanksionet nuk do ta pengojnë Turqinë nga mbrojtja e të drejtave të saj të energjisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re