Pandemia që ka zënë vend edhe në Shqipëri nuk ka kaluar pa konfliktualitete politike, që më shumë se një strategji për marrje pushteti janë kthyer në artikulacione besueshmërie për qytetarët e izoluar në shtëpi.

Kryeopozitari Lulzim Basha ka zgjedhur të mbajë “peshën e rëndë”, duke dhënë sugjerime për kryeministrin Rama, kryesisht të karakterit ekonomik, për të mundësuar jetesën e shqiptarëve në këtë kohë pandemie botërore.

Por nga ana tjetër, opozita ka nxjerrë edhe fakte që nxjerrin blof institucione e dikastere të rëndësishme. Një prej tyre është Ministria e Mbrojtjes, e cila sipas Partisë Demokratike ka zhvilluar një tender ushqimi, duke ia dhënë atë një subjekti pa asnjë lidhje me këtë aktivitet.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, ish deputeti Enkelejd Alibeaj hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së mbrojtjes Olta Xhaçka lidhur me tenderin e ushqimeve për rezervën e shtetit.

Sipas ish-deputetit demokrat, tenderi në fjalë është zhvilluar pa garë dhe ka për fitues të paracaktuar një firmë kompjuterash, me seli në Maqedoni dhe administrator shtetasin Emir Shefiti. Ish-deputeti demokrat shkon më tej, teksa deklaron se tenderi për ushqimet e familjeve në nevojë u vonua, sepse Edi Rama dhe Olta Xhaçka përgatitën skemën e vjedhjes.

E vërteta është që kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro, nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Sipas PD, e vërteta është që kompania “Eurovia” që Alo Edi dhe Olta Xhaçka ka parapërzgjedhur për t’i dhënë tenderin është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore.

E vërteta po sipas PD është që kompania “Eurovia”, është rregjistruar në Shqipëri rreth një vit më parë, në Shkurt 2019. Aktiviteti i saj kryesor lidhet me pajisje elektronike, ndërtim dhe sisteme kompjuterike.

Ajo ka si administrator shtetasin Emir Shefitin, një pronar kompanie bastesh sportive të regjistruar në Tetovë, të quajtur “Sports and More”, e cila merret me lojra kompjuterike dhe programime teknologjike.

Alibeaj thotë se e vërteta është që në datë 19 Mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore.

Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore, bën të ditur PD.

Për këtë çështje PD ka bërë edhe një kallëzim në SPAK. Sipas PD, në tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes Olta Xhaçka rezulton e provuar kryerje e tre veprave penale dhe konkretisht: “Shpërdorimi i detyrës”; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë; parashikuar nga nenet 258, 258 dhe 260 të Kodit Penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re