Një vajzë 7 vjeçe ndërroi jetë këtë të martë, pasi u godit nga helikat e një skafi të fuqishëm, i drejtuar nga një oficer me gradën e komisarit.

Vajza kishte ardhur me familjen në Himarë për pushimet verore. Familja me origjinë nga Tropoja jetonte në Britani. E mitura po qëndronte në bregun e detit në momentin kur një manovër e skafit, drejtuar nga Arjan Tase, ka qëlluar vajzën.

Tase kishte mbërritur me skafin në bregun e detit, jo shumë metra larg çadrave të pushuesve, një veprim i cili është në shkelje të rregullave më bazike të sigurisë.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se një manovër e gabuar e skafit i ka marrë jetën të miturës. Drejtuesi i mjetit nuk ka qenë i vëmendshëm për të kuptuar se pranë ndodhej vajza dhe një manovër e tij ka sjellë tragjedinë.

Tase nuk bëri rezistencë kur oficerët e ndaluan, ndërsa para hetuesve ai deklaroi se mjeti lundrues kishte patur një defekt. Pretendimi i Tases mbetet për t’u verifikuar, ndërsa dëshmitarët okularë kanë treguar se oficeri e ka goditur të miturën në momentin kur është kthyer mbrapsht (indietro) me skafin.

Dinamika e saktë e ngjarjes mbetet për t’u vërtetuar nga hetuesit, të cilët pritet të kryejnë një hetim të thelluar mbi rastin.

Përtej kësaj, mbetet për t’u zbuluar nëse Arjan Tase kishte patentë për të drejtuar mjetin lundrues (me fuqi të madhe motorike).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re