Deputeti luginas në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se është kundër vendosjes së intepretimit të detyrueshëm të himnit kombëtar(serb) në shkolla në fillim të vitit shkollor. Sipas tij, himnin e Zotit të Drejtësisë nuk e ndjejnë si të tyren shumë serbë, e lëre më shqiptarët apo disa kombe të tjera nga 22 që jetojnë në Serbi.

“Në himnin e Serbisë, në një vend ku jetojnë 22 nacionalitete, më së shumti nga vendet e rajonit, serbët përmenden 15 herë, ndërsa Zoti thirret dhjetë herë për të shpëtuar, ushqyer dhe bashkuar ekskluzivisht botën serbe dhe shtetet serbe. Kështu, himni i Zotit të Drejtësisë u krijua sipas një modeli të pastër etnik. Prandaj është logjike që këtë himn të mos e ndjejnë joserbët, por jo edhe shumë serbë të emancipuar”, tha Kamberi.

Ndryshimet në ligjin për bazat e sistemit arsimor janë në axhendën e Kuvendit serb këtë javë, duke përfshirë futjen e intepretimit të detyrueshëm të himnit në shkolla.

Kamberi ka vlerësuar se pushteti shtetëror deri më tani ka dështuar që qytetarëve të Republikës së Serbisë t’u ofrojë ekonomi, prosperitet, drejtësi, shëndetësi, arsim, të drejta, perspektivë, e nga ana tjetër flet për “botën serbe”, për krenarinë. dhe dinjitetin e popullit serb dhe lavdinë e tij historike.

“Ju fshiheni pas nacionalizmit në emër të patriotizmit. Është më e lehtë për ju të indoktrinoni nxënësit me nacionalizmin tuaj sesa të realizoni ëndrrat e tyre për arsim cilësor dhe perspektivë. Një gjë është e sigurt: për shkak të jush çdo vit do të ketë gjithnjë e më pak nxënës që do ta këndojnë himnin, jo vetëm se nuk e ndjejnë, por edhe se çdo ditë e më shumë po largohen nga Serbia”, tha Kamberi.

Ai shtoi se kjo është një politikë që mbron “asimilimin e joserbëve në një Serbi mono-etnike dhe mosintegrimin e serbëve në vendet e tjera joetnike”.

“Shpëtoni nxënësit nga himnet. Shpëtoni shkollat ​​nga nacionalizmi. Ofroni arsim cilësor për punësim të denjë. Ky është himni që u duhet, përfundoi deputeti shqiptar i Luginës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re