Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Hipertensioni arterial është një nga sëmundjet më të shpeshta sot në të gjithë botën. Mbi një milliard e gjysëm njerëz në botë vuajnë nga hipertensioni arterial. Mjafton të themi që mbi 40 % e të rriturve janë të sëmurë nga hipertensioni arterial. Kjo shifër sugjëron që në Shqipëri ka mbi 500 mijë vetë që vuajnë nga hipertensioni arterial. Natyrisht që shkaqet e një shpeshtësie të tillë të hipertensionit arterial lidhen me ndryshimet e mënyrës së jetesës së njerëzve në epokën e sotme që ka të bëjë së pari me rritjen e përdorimit të kripës në ushqim dhe së dyti me mungesën e aktivitetit fizik dhe së treti me rritjen e stresit në jetën e përditshme. Këto faktorë të rëndësishem shkaktojnë me kalimin e kohës komplikacione të tilla sic janë obeziteti, sindroma metabolike, diabeti, dhe të gjitha këto predispozojnë për zhvillimin e hipertensionit arterial. Një arsye tjetër madhore e hipertensionit arterial është plakja e popullsisë në të gjitha vendet. Sa më shumë plaket njeriu aq më shumë ka mundësi të sëmuret nga hipertensioni arterial. Studimet kanë treguar që mbi moshën 60 vjec, 80 % e njerëzve janë me hipertension arterial.

Nga ana tjetër më shumë se gjysma e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni arterial nuk e dinë fare që kanë hipertension sepse nuk e masin asnjë herë tensionin e gjakut. Por edhe ata që e dinë që kanë hypertension, në shumicën e tyre ose nuk mjekohen fare ose mjekohen në mënyrë të pamjaftueshme me barna anti hypertensive. Nga gjithë numri total i të sëmurëve me hypertension arterial vetëm 15 % e tyre mjekohen sic duhet për tensionin e rritur në gjak.

Mungesa e profilaksisë dhe mjekimi jo adekuat i tensionit të rritur të gjakut bëjnë që tensioni me kalimin e kohës të shkaktojë komplikacione shume të rënda në organizmin e njeriut. Këto komplikacione janë Insultet cerebrale, sëmundjet e zemrës si infarkti i miokardit dhe insuficienca kardiake kongestive, dhe sëmundjet kronike të veshkave.

Veshkat e hipertensioni arterial kanë një lidhje shumë të fortë midis tyre. Hipertensioni arterial është shkaku i dytë për nga rëndësia i sëmundjeve kronike të veshkave pas diabetit dhe është konstatuar se një e katërta e pacientëve me hipertension arterial kanë edhe dëmtim kronik të veshkave. Ndryshimet në veshka të hipertensionit arterial bëjnë që të zhvillohet ajo që quhet nefroskleroza hypertensive. Kjo prekje e veshkave ka të bëjë me ndryshime strukturore të parenkimes renale si edhe të enëve të gjakut brenda veshkës. Në stadet e avancuara ndodh insuficienca renale kronike me përkeqësim të funksionit renal dhe rritje progressive të atyre parametrave në gjak që tregojnë nivelin e funksionit të veshkave. Pra kemi rritje të uremisë (azotemise) dhe të kreatininemise. Kur kjo situatë rëndohet shumë bëhet e domosdoshme aplikimi i terapise renale zëvendësuese që janë ose dializa ose transplanti i veshkave.

Vec asaj edhe sëmundjet e ndryshme të veshkave mund të japin si komplikacion në ecurinë e tyre hypertension arterial. Sëmundjet e veshkave sot janë shume të perhapura. Studimet kanë treguar që 10-15 % e popullsisë adulte janë me sëmundje kronike tv veshkave. Sëmundje të tilla sic janë glomerulonefritet, pyelonefritet kronike , sëmundjet e trashëguara të veshkave si veshka polikistike etj, shoqërohen dhe komplikohen shumë shpesh me hipertension arterial. Krijohet një lidhje e pandarë ku veshka e sëmurë jep hipertension arterial dhe nga ana tjetër hipertensioni e përkeqeson edhe më tej funksionin e veshkave. Veshka pra mund të jetë shkak por edhe viktimë e hipertensionit arterial. Ky cikël vicioz e rëndon progresivisht gjendjen e të sëmurit deri sa e nxjerr veshkën komplet jashtë loje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re