Regjimi i vizave midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit do të hiqet reciprokisht.

Transmetuesi Publik i Izraelit, KAN, raportoi se marrëveshja e ndërsjellë midis Izraelit dhe EBA-së për heqjen e vizave do të nënshkruhet sot.

Në lajm thuhet se EBA do të jenë vendi i parë arab që heq vizat për Izraelin.

Siç njoftohet, marrëveshja do të nënshkruhet me pjesëmarrjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Sekretarit të Financave të SHBA-së, Steven Mnuchin, dhe ministrit të Financave të EBA-së, Obaid bin Hamid al-Tayer në një ceremoni që do të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv dhe më pas do të bëhet një deklaratë e përbashkët.

Nga ana tjetër, delegacioni i EBA-së, i cili do të arrijë në Izrael sot, do të nënshkruajë një seri marrëveshjesh me Tel Avivin zyrtar për të lehtësuar udhëtimet komerciale midis dy palëve.

Ndryshe, oresidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi më 13 gusht arritjen e marrëveshjes midis Izraelit dhe EBA-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe më 11 shtator midis Izraelit dhe Bahreinit.

Marrëveshjet e dy vendeve me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re