Interpol ka pranuar kërkesën e Policisë së Kosovës të bërë një vit më parë për heqjen e urdhërarrestit ndërkombëtar për kryeministrin Ramush Haradinaj.
 
Emri i tij është në mesin e 18 personave të fundit që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar nga Serbia për krime lufte apo krime ndaj civilëve, gjatë kohës së luftës në Kosovë, edhe ata të liruar.
 
Haradinaj është ndaluar 2 herë në bazë të këtij urdhri gjatë udhëtimeve të tij.
 
Në fillim të këtij viti, ai u ndalua në Francë dhe qëndroi për gati katër muaj në pritje të një procesi gjyqësor gjatë të cilit u refuzua kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij.
 
Beogradi e akuzoi Haradinajn, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime gjatë luftës së viteve.
 
Kryeministri kosovar dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
 
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
 
Procesi kundër tij filloi ne 2007 dhe përfundoi në prill 2008 me pafajësi.
 
Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm dy vjet më vonë, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në ish Jugosllavi. Por Më 29 nëntor të vitit 2012 sërish u shpall i pafajshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re