Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në seancën paraprake të GJKKO ka parashtruar kërkesat e tij.

Në një fjalim të gjatë ai është ndalur tek mënyra sesi po trajtohet gjatë seancave, duke kërkuar në radhë të parë që t’i hiqet masa e vendosjes në kafaz.

Po ashtu, Erion Veliaj ka kërkuar vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që siç shprehet ai “më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime”. 

Kryebashkiaku kërkon shtyrjen e procedurës, derisa “kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”.

Veliaj ka deklaruar se nëse kërkesat e tij nuk pranohen, atëherë ai thote se po perjashtohet nga ky proces gjyqësor, që siç deklaron kryebashkiaku “një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal”.

“Nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale”, deklaron Erion Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re