Fiqiri Karaj nga Bulqiza do të dilte mëngjesin e sotëm nga banesa e tij, ku la bashkëshorten dhe katër fëmijët, për të hyrë në galerinë e minierës së Bulqizës, nga e cila nuk doli më i gjallë.
Ai humbi jetën për shkak se një sasi e madhe gurësh e zuri poshtë, ndërkohë që siç është bërë e zakonshme në raportime thuhet se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, edhe pse historitë e dhimbshme i lënë vendin njëra tjetrës pa marrë asnjë masë.
Në të njëjtën ditë në Tiranë, kandidati i pavarur, i dalë nga radhët e minatorëve, Elton Debreshi dorëzoi në KQZ listën me firma, që do ti mundësojnë garimin në 25 Prill. Për kandidimin e Debreshit kishte hedhur firmën edhe Fiqiriu, i cili prej mesditës së sotme nuk jeton më, ama shpresa e mijërave minatorëve për më shumë kushte në punën e tyre, mbetet e gjallë, në një Bulqizë që ka pasuri të jashtëzakonshme nëntokë, e mbi të njerëzit rropaten çdo ditë në kushte mbijetese.
Sesa do të arrijë Debreshi që të sigurojë votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend, e mëpastaj për të ngritur zërin për kolegët e tij, kjo do të duhet ti mbetet muajve në vijim, ama minatorët sot shohin një mundësi dhe një alternativë, që puna dhe vuajtjet e tyre të bërtiten me të madhe.
Postimi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës:
Dita e sotme do të duhej të ishte një ditë historike për minatorët, Bulqizën dhe të gjithë komunitetin e Dibrës. Sot, pas një angazhimi disajavor, dorëzuam në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 1350 nënshkrime për regjistrimin e Elton Debreshit si kandidat i pavarur për deputet.
Me keqardhje dhe dhimbje të thellë, gjatë dorëzimit të dokumentacionit, u informuam për vdekjen e minatorit Fiqiri Karaj, shokut dhe vëllait tonë, në minierat e Zonës D në Bulqizë.
Fiqiriu ishte 49 vjeç dhe baba i 4 fëmijëve. Ai ka qenë mbështetës dhe nënshkrues i peticionit për Statusin e Minatorit, si dhe për kandidaturën e pavarur të mbështetur nga sindikata. Kjo vdekje e radhës në galeritë e zeza të minierave është pasojë e kushteve të vështira që përballen minatorët çdo ditë.
Përballja e përditshme me vdekjen na tregon për nevojën urgjente të miratimit të Statusit të Minatorit. Kjo na bën të jemi gjithnjë e më të vendosur për të çuar përpara nismën tonë !
Shprehim ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe të afërmit e Fiqiriut!
U kërkojmë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse të zbardhin ngjarjen. Për Fiqiriun dhe çdo minator tjetër duhet drejtësi!
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
