Halil Yilmaz, 48 vjeç, i cili i mbijetoi tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë në fillim të shkurtit, zbuloi se ishte shpallur i vdekur kur u përpoq të hynte në një faqe interneti qeveritare.

Në procesverbal figuron si “i vdekur nga tërmeti”, dhe i është drejtuar Administratës së Popullsisë dhe prokurorisë për të vërtetuar se është gjallë.

“Nuk jam në gjendje të paguaj premiumin e sigurimeve shoqërore ose të shkoj në spital për ekzaminime mjekësore. Nuk mund të bëj asnjë transaksion në zyrat qeveritare,” tha Yilmaz, i cili është banor i Osmaniye-s, një nga provincat jugore të goditura nga dy tërmetet në shkurt.

Siç tha ai, Administrata e Situatave Emergjente të Turqisë (AFAD) ka paguar 100 mijë lira turke (9,116 KM) në llogarinë bankare të gruas së tij si pjesë e dëmshpërblimit të qeverisë për viktimat e tërmetit.

“Familja e ktheu pagesën,” tha Yilmaz.

Tashmë ai pret që të përfundojnë procedurat dhe të jetë sërish “gjallë” në letër.

“Shpresoj që të mund t’i rikthehem jetës sime normale sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Yilmaz.

Më 6 shkurt, Kahramanmaras ishte epiqendra e dy tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë të shkallës Rihter që goditën 11 provinca turke.

Rreth 14 milionë njerëz në Turqi u prekën nga ata tërmete, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re