Pëllumbi i ka lënë të 65-tat dhe ditët e fundit endet në dyert e gjykatave, atje ku shumica e avokatëve kanë bojkotuar punën për shkak të kundërshtive me projektligjin për hartën e re gjyqësore. Mbesa e Pëllumbit është veçse 9 muajshe dhe prej disa kohësh është marrë nën kujdestarinë e shtetit, shërbimeve sociale.

Shkak është një fakt i dhimbshëm, një fenomen që ka prekur jo pak të rinj e familje në Shqipëri. Vajza e Pëllumbit, nëna e foshnjes 9 muajshe, është e varur nga droga. Vajza 25 vjeçare është përdoruese e lëndëve të forta narkotike, ndërsa i ati e ka patur të pamundur që ta rehabilitojë. Mbesa e Pëllumbit erdhi në jetë në shtator, por shumë shpejt u mor nga shërbimet sociale kur u denoncua një rast i lënies së vajzës nga e ëma në trotuar.

65 vjeçari po tenton të marrë kujdestarinë e mbesës, në mënyrë që ta rrisë ai vajzën.

“(Vajzës sime) nuk kam çfarë t’i them, mjekim nuk i bëj dot. S’mundem të ndërhyj tek ajo sepse acarohet dhe atëherë unë e lë në lirësinë e veprimeve të veta. Unë dua të jem kujdestar, ne si gjyshër të marrim kujdestarinë e fëmijës dhe të kthehet në shtëpi. Rrethanat na erdhën nga vajza, po jeta ndonjëherë është fat e sprovë, njeriu si ta ketë të shkruar…”-tregoi Pëllumbi në një intervistë për Top Channel.

Zyrtarisht në Shqipëri nuk disponohen të dhëna përfundimtare mbi numrin e saktë të përdoruesve të lëndëve narkotike, por tashmë është fakt se pragu moshor i përdoruesve, ka zbritur. Shumë të rinj janë kthyer në përdorues të lëndëve narkotike, duke sjellë plagë të reja shoqërore e plot herë, drama familjare të dhimbshme si ajo e Pëllumbit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re