Një debat i madh publik është hapur në Britani, i cili pikënisjen e ka nga historia e trishtë e një 12 vjeçari, i quajtur Arçi Batersbi (Archie Battersby).

Në prill të këtij viti, prindërit e gjetën Arçin në dhomën e tij, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata e dërguan të birin në spital dhe mjekët vendosën ta intubojnë menjëherë 12 vjeçarin, pasi gjendja e tij ishte kritike.

Siç raportuan mediat mbi shkakun, dyshimet mbeten se 12 vjeçari kishte dashur të kryente një ndër “sfidat” e rrezikshme në Tik Tok, çka kishte sjellë aksidentin e tij.

Ditët kalonin dhe Arçi qëndronte në spital, në gjendje kome. Derisa çështja përfundoi në gjykatë. Mjekët në spitalin e Londrës i treguan familjes së 12 vjeçarit, se dëmtimet në tru tek djali i tyre ishin aq të mëdha, saqë ata besonin se truri i tij tashmë ishte i parikuperueshëm. Mjekët kërkuan që të kryejnë një test pikërisht për të vërtetuar besimin e tyre dhe nëse mbajtja e fëmijës nga aparaturat do të duhej të vijonte.

Familja e 12 vjeçarit refuzoi kërkesën e mjekëve e kësisoj çështja shkoi në gjykatë. Pas disa seancave, gjykata vendosi më 13 qershor se për 12 vjeçarin nuk kishte më çfarë të bëhej (truri i tij me gjasë kishte vdekur) e se kësisoj, spitali kishte të drejtën për t’i hequr aparaturat.

Vendimi i gjykatës u prit me dëshpërim nga familja e 12 vjeçarit, e veçanërisht nga nëna e djaloshit, e cila çdo ditë qëndron në krah të të birit. Ajo tregoi për median britanike se e ka ndjerë të birin të lëvizë e t’i shtrëgojë dorën. Besimi i saj është se Arçi është ende në këtë botë e se vendimi për t’i hequr aparaturat është i gabuar.

Rasti i 12 vjeçarit ka sjellë debat po ashtu dhe në opinionin publik.

Me gjasë zgjidhja e kësaj dileme do të gjendet sërish në gjykatë. Të dielën një grup i madh njerëzish u mblodhën së bashku në mbështetje të familjes së 12 vjeçarit, ndërsa familja kërkoi apelimin e vendimit të gjykatës për t’i hequr aparaturat Arçit.

Së fundmi mediat britanike raportuan se kërkesa për apel e familjes, është pranuar. Tashmë pritet të nisë sërish një betejë ligjore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re