Një histori e bukur dhe e dhimbshme por plot frymëzim po trajtohet tek emisioni e Diela Shqiptare në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Erjoni, 21-vjeçari nga një fshat i Librazhdit, iu drejtua rubrikës ‘Ka një mesazh për ty’ për t’i kërkuar babait të tij të mos punojë më, sepse familjen mund ta mbajë ai.Mes shumë peripecish dhe problemesh, i ati, Osmani, ka nisur të punojë që në moshën 12-vjeçare, menjëherë pas vdekjes së babait, duke kryer punë të ndryshme kryesisht lidhur me ndërtimin, që kërkojnë punë dhe lodhje të madhe fizike.

Jeta nuk ishte e lehtë për të edhe pas martese dhe ardhjes në jetë të katër fëmijëve, të gjithë me probleme shëndetësore përfshirë dhe bashkëshorten, që ka një sërë komplikimesh shëndetësore, ndaj e ka të domosdoshme praninë e dikujt në shtëpi që të kujdeset për të.

Këtë detyrë babai ia ka ngarkuar të birit, Erjonit, të cilin e ka ndaluar kategorikisht të punojë, i shqetësuar edhe për shëndetin e tij. Por ky i fundit, që prej një viti është edhe i fejuar, këmbëngul të zëvendësojë të atin në punë dhe të mbajë familjen, sepse ndihet plotësisht i aftë për të punuar, shkruan Anabel.

“Mjaft ka punuar për ne. E shikoj që i ka rënë trupi, shpeshherë këputet, i dridhen duart. Nuk dua të punojë më për ne, sepse unë tani jam i sigurt dhe e ndjej të nevojshme të punoj,” u shpreh mes lotësh Erjoni në studio.

“Je gjëja më e shtrenjtë për mua. Për më shumë se 2 vjet e gjysmë kemi patur grindje të vazhdueshme në shtëpi se kush do punojë. Unë dua të të them diçka. Boll punove për ne se e ke bërë plot 43 vjet, duke mbajtur familjen pavarësisht halleve që kemi patur. Ti i ke zgjidhur të gjitha vet pa ndihmën e askujt.

Ti rri kujdesu për mamin. Unë jam shumë mirë nga ana shëndetësore, sa mund të mbaj katër veta në shtëpi, ty mamin dhe të fejuarën time,” u zotua Erjoni në studio, duke marrë mbrapsht bekimin e të atit.

“Do të lejoj të punosh. Unë sa të jem i fortë do të ndihmoj. Do të jem krahë në punë. Babi është dakord, rrugën e hajrit të ketë,” tha Osmani duke hequr dorë më në fund nga kokfortësia e kryefamiljarit.

Por ky nuk ishte i vetmi problem për familjen e tyre. Rastësisht në redaksinë e “Ka një mesazh për ty”, ishte drejtuar dhe e fejuara e Erjonit, Marjana, 17 vjeç, për të rregulluar marrëdhënien me të ëmën e saj. Prej një viti Marjana dhe e ëma, zonja Sadete, jetojnë vetëm në shtëpi, pas vdekjes së babait.

Pas ikjes të së atit, Marjana u fejua me Erjonin dhe ky ka qenë shkak që të lëvizë shpesh nga shtëpia për të ndejtur tek ai. Ky fakt ka sjellë dhe problemet mes saj dhe të ëmës, që ndihet e vetmuar dhe minutat pa të bijën i kalon në shtëpi duke qarë.

Për këtë arsye Marjana i kërkoi publikisht që të shkojë të jetojë në të njëjtën shtëpi me të, Erjonin dhe prindërit e tij, në të kundërt do të heqë dorë nga dashuria gati 3-vjeçare me të për t’u kujdesur për të ëmën. Kërkesa publike e 17-vjeçares, u dëgjua edhe nga Erjoni dhe vjehrri i saj, që po ashtu kërkuan që Sadetja t’i bashkohej në shtëpi.

“Kemi dy vite e gjysmë bashkë dhe çdo gjë që të ndodhë, unë s’të le kurrë. Prindërit e mi do t’i mbaj, ty do të mbaj dhe mamin tënd do ta mbaj,”- i premtoi Erjoni Marjanës në studio dhe po të njajtat fjalë ia përsëriti edhe vjehrrës.

Ajo premtoi në studio se do të shkojë të jetojë me ta, kur të jetë e paaftë për t’u kujdesur për veten. Ndërkohë, Erjoni bën mirë të fillojë të punojë, ka një familje të madhe për të mbajtur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re