Sadio Mane, i lindur në Senegal, është një ndër futbollistët më të mirë në Premier League. Rroga e tij i kalon 5 milionë paundët, por pak vite më parë, celulari që përdorte Mane tërhoqi vëmendjen e shumë mediave.

Mane ishte fotografuar disa herë duke mbajtur e përdorur një celular të vjetëruar, të thyer e në gjendje të keqe. Ishte diçka e habitshme për shumëkënd, pasi Mane fitonte afro 100 mijë dollarë në javë. Veçanërisht fansat e tij kërkonin të dinin se përse ai mbante atë celular të shkatërruar.

Mane u përgjigj gjatë një interviste dhe ajo çka dëgjuan fansat, ishte me të vërtetë mbresëlënëse.

“Pse do të dua unë të blej 10 Ferrari, 20 orë me diamante apo 2 avionë? Çfarë do të bënte kjo për botën? Asgjë. Unë dikur isha i uritur për bukë. Punoja nëpër fusha, futboll luaja zbathur dhe në shkollë s’mund të shkoja. Sot unë mund të ndihmoj njerëz.

Sot unë preferoj të ndërtoj shkolla dhe t’i jap ushqim e veshje të varfërve. Kam mundur të ndërtoj shkolla, një stadium, t’i jap veshje, këpucë e bukë njerëzve që jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë.

Çdo muaj jap para për njerëzit e varfër në Senegal, për të ndihmuar në ekonominë familjare të tyre. Nuk kam nevojë të tregoj makinat luksoze, shtëpitë e bukur, as avionët apo udhëtimet. Unë preferoj që njerëzit e mi të përfitojnë diçka nga ajo që jeta ime më ka dhënë.”-tregoi Mane.

E në fakt, as celulari i thyer e shkatërruar që Mane përdorte prej kohësh, nuk ishte blerë prej tij. Ishte një dhuratë që një shok i skuadrës i kishte bërë. Mane shpjegoi se edhe pse mund ta ndërronte lehtësisht me një celular të ri, ai kishte zgjedhur qe ta ruante atë për të nderuar miqësinë me shokun e skuadrës.

E të mirat e bamirësitë që ka bërë ky futbollist, nuk janë të pakta e të panjohura. Vetëm pak muaj më parë (shkurt 2022), Mane pagoi të gjitha faturat mjekësore të një familje, teksa vetë ishte shtruar në spital pas një incidenti në një ndeshje. Në spital ai kishte mësuar për historinë e një fëmije që ishte aksidentuar e kishte pësuar dëmtime serioze. Familja nuk kishte patur mundësi të paguante faturat mjekësore, gjë që e kishte bërë futbollisti nga Senegali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re