Analisti i njohur Fatos Lubonja e konsideron debatin për hapjen e kutive si “shumë zhurmë për asgjë”.
I ftuar në emisionin “Log.”, Lubonja tha se manipulimi i zgjedhjeve nuk ndodh përmes një instrumenti të vetëm, por përmes një aparati të tërë shtetëror në shërbim të një partie të vetme.
“Që një parti në mandatin e 4 fiton më shumë se në të tretin, në të tretin fiton më shumë se në të dytin, në të dytin fiton më shumë se të parin, kjo ka një shpjegim që këtu ka ardhur duke u përqendruar kontrolli i pushtetit nga kjo parti”, tha Lubonja.
Duke sjellë në vëmendje numrin e madh të skandaleve gjatë viteve të fundit, Lubonja shprehu dyshime serioze për ndershmërinë e rezultatit zgjedhor.
Lubonja: Kjo historia e hapjes së kutive më duket si shumë zhurmë për asgjë. Manipulimi i zgjedhjeve është bërë më parë me shumë instrumente, jo me një. Kemi një lloj partie shtet që kontrollon të gjitha institucionet.
Që një parti në mandatin e 4 fiton më shumë se në të tretin, në të tretin fiton më shumë se në të dytin, në të dytin fiton më shumë se të parin, kjo ka një shpjegim që këtu ka ardhur duke u përqendruar kontrolli i pushtetit nga kjo parti.
Mjafton ti numërosh skandalet që kanë ndodhur vitet e fundit…ky popull nuk është kaq idiot që ti japë një ndëshkim. Pastaj problemi tjetër është që ka dy narativa, një është që “kemi probleme po kemi bërë hapa përpara” kurse narativa tjetër është që “nuk bëhet fjalë për ecje përpara, por për stabilizimin e një regjimi që sa më shumë kriminalizohet, kontrollon më me ankth votat. Unë besoj se më e besueshme është kjo e dyta. Këtu ndahen edhe opinionet që jepen për Shqipërinë.
Zgjedhjet janë një nga testet kryesore. Në 90-ën mbaj mend që na kanë thënë që testi i demokracisë është kur ti bën tre zgjedhje radhazi me tre rotacione radhazi pa u kontestuar nga palët. Po të shikosh historinë këtu jemi tek kontestimi. Unë hedh poshtë narativën që Shqipëria po bën hapa para. Këtu është instaluar një regjim që nuk e lëshon pushtetin me proces zgjedhor sic mendohet.